Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili dhe drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, kanë folur sot në një konferencë për media për suspendimet dhe përjashtimet e mjekëve nga puna. Ata kanë deklaruar se nuk do të tolerojnë askënd në çfarëdo pozite që të lë pacientët pa marr shërbimin për interesa të veta
“Sistemi shëndetësor së bashku me profesionistët, është për pacientin dhe nëse humb kjo, nëse dështon ky mision nga çfarë lloj pozicioni nuk është imun ndaj suspendimit apo çfarëdo akti tjetër. Nuk është imun nëse nuk ia jep trajtimin pacientit. Akuzat mund të dalin por për neve është me rëndësi pacienti”, ka deklaruar ministri Ismaili, shkruan Gazeta Shneta.
Në anën tjetër Sejdiu ka thënë se pakënaqësitë e pacientëve ndaj mjekëve nuk do të tolerohen dhe do të merren masa.
“Mjekët e kanë obligim që prioritet ta kenë pacientin dhe nëse mjekët nuk janë në vendin e punës do të merren masa në çdo kohë. Nëse nuk respektohet kontrata e punës dhe pacienti lihet anash për shkak të qejfeve të individëve, atëherë do të ketë suspendime dhe përjashtime tjera. Asnjëherë nuk kemi pas qërim hesapesh personale me asnjë koleg dhe këtë e argumentojnë shumë fakte. Personale e kemi pacientin”, ka thënë Sejdiu.
Kujtojmë se para pak ditësh është përjashtuar nga puna kardiologu Gani Bajraktari me vendim të Komisionit Disiplinor. Ai është gjetur fajtor për referimin e një pacienti në spital privat. Për rastin ishin njoftuar edhe Policia dhe Prokuroria e shtetit.
Bajraktari në reagimin e tij vendimin e Komisionit Disiplinor e ka quajtur të jashtëligjshëm, ndërsa ka thënë se është bërë me inate personale të Sejdiut. /Gazeta Shneta/