Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, e ka hedhur fajin te Lidhja Demokratike e Kosovës për mosarritjen e fillimit me sigurimet shëndetësore.
Në një postim në Facebook, Ismaili, pas mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, ku LDK votoi kundër rishikimit të buxhetit, akuzoi ish-ministrat e LDK’së në qeverinë e kaluar për mosfillimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore, duke thënë që të dy ministrat që drejtuar dikasterin e Shëndetësisë dhe atë të Financave u treguan neglizhentë për të jetësuar sigurimet shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë në mandatin e kaluar ishte drejtuar nga Imet Rrahmani, kurse ajo e Financave nga Avdullah Hoti.
“Në Komisionin për Buxhet dhe Financa, LDK ka votuar sot kundër rishikimit të Buxhetit të Kosovës, duke përmendur si një nga arsyet heqjen e fondeve për sigurimet shëndetësore.
Por, është e pandershme dhe e papërgjegjshme të tejkalohet fakti se sigurimet shëndetësore nuk janë arritur ekskluzivisht për shkak të neglizhencës së ministrave të LDK-së në qeverisjen e kaluar. Po jua kujtoj se LDK ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave”, thotë Ismaili.
Tutje, ai premton që buxheti për shëndetësinë do të rritet vitin e ardhshëm dhe ‘se shërbimet shëndetësore do të përmirësohen dukshëm’.
Kujtojmë që Ligji për Sigurime Shëndetësore është hartuar qysh në vitin 2004, kurse ishte miratuar më 2007. Pas rekomandimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai ishte tërhequr dhe nuk kishte hyrë në fuqi për shkak të implikimeve buxhetore./gazetametro.net