Ish-ministri i Shendetësisë Imet Rrahmani nga LDK, është shprehur kritik për punën e pasardhësit të tij Uran Ismaili nga PDK.
Rrahmani ka deklaruar se ruajtja e buxhetit nuk është arsye për t’i lënë pacientët pa barna. Ai ka thënë se në kohën e tij nuk ka ndodhur që dializa të mbetet pa barna më shumë se një javë, e tani ka mbetur me muaj.
“Ministrin e përgëzoj për PR briliant që po e bënë”, ka ironizuar Rrahmani duke shtuar se Ismaili po bënë vetëm marketing për disa punë të vogla.
Në TV Rrokum, Rrahmani ka deklaruar se në kohën e tij nuk ka pasur këso situatë ku ndodhet tani shëndetësia.
“Tash i kanë 18 milionë euro më tepër dhe ato nuk po përdoren për ta mbuluar shëndetësinë. Përkundrazi kam informacione se shëndetësia do të vijë në kolaps. A duhet me prit për kolaps dhe pastaj me intervenu shteti. Sistemi që po thotë ministri, ka qenë edhe më herët me Sistemin e Informimit Shëndetësor”
“Shëndetësia është kthyer mbrapa, dhe ka tendenca me anulu të gjitha proceset”.
“Me pas seriozisht për me bë Sigurimet Shëndetësore kjo Qeveri ishte dashur ta kryente që në fillim”, ka deklaruar tutje deputeti i LDK-së.
“I bëj ftesë ministrit që ta dërgojë kërkesën për rishikimin e Ligjit për Sigurime në mënyrë që t’i shtohet stafi”
“Nuk reformohet shëndetësia me autoambulanca dhe me marketing”, ka thënë ai. /Gazeta Shneta/