Ish-drejtori i QKUK-së dëshmitar në rastin “Stenta”

2018-09-21 në ora 08:48

Gjykata ka aprovuar kërkesën e të akuzuarit Gani Shabani që të ftohen në cilësinë e dëshmitarëve, Dr. Njazi Gashi dhe Bekim Fusha. Seanca e radhës në rastin e njohur si “Stenta”, ku akuzohen rreth 60 persona, do të mbahet më 18 tetor

Ish-drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës Njazi Gashi dhe Bekim Fusha do të jenë të ftuar si dëshmitarë në rastin “Stenta” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe sekretarit të kësaj ministrie Gani Shabani.

Në shqyrtimin gjyqësor kundër Aganit dhe Shabanit, të premten trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Shadije Gërguri ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së Gani Shbanit për të ftuar si dëshmitar drejtorin e QKUK-së, Njazi Gashi dhe Bekim Fushën.

Gjatë kësaj seance u shqyrtuan propozimet e mbrojtjes.

Në mesin e këtyre propozimeve ishte edhe kërkesa e mbrojtësit të Gani Shabanit, avokatit Nikë Shala që në cilësinë e ekspertit të dëgjohet edhe një zyrtar ligjor nga KRPP-ja. Kërkesë kjo e cila u aprovua nga trupi gjykues.

Seanca e radhës në këtë çështje penale u caktua të mbahet më 18 tetor në ora 9:00, ku Do të lexohen  gjitha këto prova materiale të cilat u aprovuan nga trupi gjykues.

Pas fillimit të procesit gjyqësor në rastin e njohur si rasti “Stenta”, gjykata ka veçuar procedurën penale ndaj ish-ministrit Ferid Aganit dhe ish sekretarit Gani Shabani.

Ndryshe, në qershor të vitit 2016 Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 60 personave fizik dhe 4 personave juridik. Në mesin e 60 personave fizik janë akuzuar edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përgjithshëm kësaj ministrie Gani Shabani, 44 mjekë dhe një infermier të punësuar në institucionet publike shëndetësore, si  dhe 13 persona që kanë punuar ose punojnë në institucionet private shëndetësore, ku një numër prej tyre janë udhëheqës ose aksionar të këtyre institucioneve private shëndetësore.

Agani dhe Shabani janë akuzuar për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Këta të pandehur sipas prokurorisë duke vepruar në kundërshtim më ligjin për prokurimin publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si  dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, për periudhën 2011 -2015, i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat IMH në shumë prej  4,050,958.00 euro dhe spitalit privat EDA në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës ashtu që në vend që të lejoheshin pagesat deri ne 70% të shpenzime për trajtim mjekësor, të njëjtit lejuan pagesat prej 100 % edhe për rastet kur nuk ishin plotësuar kushtet ligjore, pra për rastet kur pacientët nuk ishin invalidë të luftës ose raste sociale. /Zeri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *