Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur shërbimin e frytnimit të asistuar mjekësor (IVF) në Spitalin “Fati im” në Gjakovë.
Kjo masë Inspektoratit ka ardhur pas bastisjes dhe arrestimit të dy mjekëve nga Policia e Kosovës. Lajmin për këtë Gazeta Shneta e ka konfirmuar nga burime zyrtare nga ISH. Poashtu mësohet se sikurse në klinikat tjera, edhe tanket me qeliza dhe embrione të ngrira të pacientëve të këtij spitali, janë konfiskuar dhe të njëjtat janë dërguar në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Policia e Kosovës njoftoi se dy mjekë të këtij spitali, përfshirë pronarin A.M. dhe B.B., janë arrestuar nën dyshimet për transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore.
Policia ka thënë se “plani ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar me inicialet (A.M. mashkull/shqiptar kosovar dhe B.B. femër/shqiptare kosovare) nën dyshimin se kanë kryer veprat penale: Transplantim i kundërligjshëm dhe Trafikim i Organeve dhe Qelizave njerëzore, si dhe Bashkëkryerja, sipas kodit penal të RKS-së”.
Nga autoritetet kompetente janë sekuestruar edhe dokumentacione të ndryshme lidhur me rastin për procedura të mëtejme. /Gazeta Shneta/