Inspektorati anulon listat rezervë në konkursin e fundit të SHSKUK-së

2018-05-16 në ora 15:49

Inspektorati i Punës ka anuluar përzgjedhjen e kandidatëve në listat rezervë në konkursin e fundit në SHSKUK. Tre kandidatë të përzgjedhur në listat e pritjes e kanë konsideruar si të padrejtë anulimin e tyre. Ata kanë bërë të ditur se nesër do të protestojnë para Zyrës së SHSKUK-së

Konkursi i fundit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar është përcjellë me shumë akuza për keqpërdorime e nepotizëm. Ndonëse konkursi është hetuar edhe nga Policia e Kosovës duke mos gjetur fakte për keqpërdorime, është Inspektorati i Punës që ka gjetur shkelje të ligjit.

IP ka anuluar dy procedura të rekrutimit në këtë konkurs, kandidatët që janë përzgjedhur në listat e pritjes me marrëveshje dhe kandidatët që janë pranuar si të rregullt më shumë sesa që janë paraparë me konkurs, shkruan Gazeta Shneta.

Pas ankesës Inspektorati ka nxjerr vendim se SHSKUK në konkursin për Mami me shkollë të mesme, Fizioterapeutë me Bachellor, Infermier të pediatrisë me shkollë të mesme, ka bërë shkelje pasi janë pranuar më shumë kandidatë sesa ka qenë e paraparë sipas konkursit.

Në konkursin për Mami janë pranuar tre kandidatë, derisa sipas konkursit është dashur vetëm 2 prej tyre. Për fizioterapeutë janë kërkuar tre persona, ndërsa janë pranuar 5. Ndërsa në pozitën Infermier i pediatrisë janë pranuar 4, një më shumëe sesa janë kërkuar në konkurs.

Inspektorati poashtu ka anuluar listat rezervë të të gjitha pozitave në konkurs. Janë 14 pozita për të cilat janë pranuar kandidatë të cilët me marrëveshje mbajnë pozitën rezervë derisa të thirren nga SHSKUK kur të lirohen pozitat e tyre.

“Punëdhënësi obligohet lidhur me konkursin publik Nr. Reference QKUK 06/2017-12-14, për plotësimin e vendeve të lira të punës me marrëveshje (rezervë), të bëjë anulimin e këtyre listave në të gjitha pozitat (14) të shpallura në Konkurs sepse janë në kundërshtim me dispozitat e UA Nr. 07/2017”, thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Për këtë vendim është ankuar SHSKUK në Inspektorat, por ky i fundit e ka hedhur poshtë si të pabazuar. Në vendimin e Inspektoratit kundër ankesës së SHSKUK-së, të cilën e posedon poashtu Gazeta, thuhet se ky institucion ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Punës.

“Komisioni i shkallës së dytë të IP-së konstatoj se punëdhënësi, subjekti juridik SHSKUK ka vepruar në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 1 të Ligjit 03/L212 të Punës ku në mënyrë tekstative thuhet citoj ‘Punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës’”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e IP-së.

Pas refuzimit të ankesës, SHSKUK është detyruar që ta zbatoj këtë vendim duke anuluar përzgjedhjen e kandidatëve për listat rezervë. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën edhe Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së, ndërsa ka bërë të ditur se do të filloj procedurat e reja të rekrutimit pasi kanë nevojë për personel shtesë.

Tre kandidatë të cilët kanë qenë në listat e pritjes e kanë kundërshtuar anulimin nga Inspektorati duke e quajtur të padrejtë. Shehide Tahiraj, Largesa Lenjani dhe Durim Xhigolli, kanë thënë se nesër do të mblidhen së bashku me të tjerët për të protestuar para SHSKUK-së.

Listat rezervë kanë ekzistuar edhe në konkurset e mëhershme të këtij institucioni. Kandidatët sipas marrëveshjes qëndrojnë në listat rezervë jo më shumë se 1 vit. Kjo i ka mundësuar SHSKUK-së që t’i plotësojë vendet e lira më shpejt me staf në rastet kur infermieret femra kanë shkuar në pushim të lindjes ose raste të tjera me kohëzgjatje. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *