Klinika e Kirurgjisë Plastike në QKUK po rrezikon të mbyllet për shkak të një infeksioni që është shpërndarë në të. Doktoresha e klinikës Violeta Zatriqi, nuk ka pranuar të flas lidhur me gjendjen.
Ajo ka thënë se ka marr pushim mjekësor për shkak se edhe vet është infektuar, ndërsa ka alarmuar për gjendjen duke thënë se klinika do të mbyllet. Infeksioni është konstatuar nga Inspektorati Sanitar, shkruan Gazeta Shneta.
Në klinikë aktualisht janë të shtrirë vetëm 3-4 pacientë, ndërsa motrat medicinale kanë marr masat kundër infeksionit duke punuar edhe me maska. “Nuk jena tu punu hiq, po thojn që kanë me mbyll klinikën. Kërkush nuk është këtu”, ka thënë njëra nga infermieret.
Se do të mbyllet klinika, kjo është mohuar nga Drejtori i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu. Ai ka thënë për Gazetën se janë marr të gjitha masat kundër infeksionit dhe për trajtimin e personelit që mund të jenë prekur.
“Klinika nuk do të mbyllet sepse gjendja nuk është alarmante. Kemi marr masat e duhura, kemi kërkuar të kryhet dezinfektimi dhe të bëhet trajtimi i personelit që mund të jenë prekur nga infeksioni”, ka thënë Sejdiu. Ai ka shtuar se puna në klinikë do të vazhdojë. /Gazeta Shneta/