Drejtori i Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, Dr. Tefik Bekteshi, ia ka ndaluar hyrjen në klinikë specializantit Dr. Endrit Shala.
Ky vendim ka ardh pas incidentit të Shalës me shefin e Kardiokirurgjisë Dr. Adem Grbolar në sallën e operacionit tre ditë më parë, shkruan Gazeta Shneta.
“Lidhur me situatën e paqartë që ka ndodhë në Sallën e Kardiokirurgjisë e cila ka potencial konflikti dhe reperkusion në imazhin e institucionit, Urdhërojë që të ndalohet prezenca e Dr. Endrit Shala, specializant i Kardiokirurgjisë në Repartin e Kardiokirurgjisë deri sa organet kompetente të marrin vendim përfundimtar”, ka shkruar Bekteshi në këtë vendim.
Vendimi i është përcjellë të gjitha organeve menaxheriale të klinikës, ndërsa është vendosur në njoftim edhe drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu.
Ky i fundit ka deklaruar për Gazetën Shneta se do të merren masa ndaj shkaktarit të incidentit, porsa të sqarohen rrethanat se çfarë ka ndodhur.
Gazeta ka raportuar për këtë incident gjatë ditës së mërkurë. Specializanti Dr. Endrit Shala ka raportuar në Policinë e Kosovës se është sulmuar nga Dr. Adem Grbolar në sallën e operacionit në Kardiokirurgji. Rastin për Gazetën e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë thënë se njësitet përkatëse janë duke hetuar rastin. /Gazeta Shneta/