Mjekët kanë bërë thirrje për ndërmarrjen e masave urgjente në nivel ndërkombëtar për ta luftuar dukurinë e prodhimit dhe përdorimit të ilaçeve të falsifikuara, të cilat besohet se janë shkaktare për vdekjen e qindra mijëra njerëzve në vit.
Rritja e përdorimit të ilaçeve të rreme ose të falsifikuara po ndikon në vdekjen e 250 mijë fëmijëve në vit. Raportohet se këto ilaçe të dyshimta përdoren kryesisht për trajtimin e sëmundjeve të malaries dhe pneumonisë.
Një pjesë e madhe e fëmijëve besohet se po vdesin edhe nga përdorimi i vaksinave të falsifikuara dhe të cilësisë së dobët dhe antibiotikëve që përdoren për trajtim ose parandalim të infeksioneve akute dhe sëmundjeve si hepatiti dhe meningjiti.
Numri më i madh i viktimave nga përdorimi i ilaçeve të falsifikuara është në shtetet ku kërkesa e madhe për to kombinohet me mbikëqyrje të dobët dhe rregullore që nuk zbatohen. Këto kushte ua lehtësojnë bandave kriminale mundësinë për të depërtuar në tregun e ilaçeve.
Përmes testimit dhe analizimit të ilaçeve të ndryshme është vërtetuar prania e ilaçeve të falsifikuara për trajtimin e malaries, antibiotikëve, ilaçeve kundër sëmundjeve të zemrës dhe kundër kancerit. Një pjesë e madhe e tyre janë me origjinë nga Kina dhe India, ndërsa në përbërjen e tyre është gjeur ngjyrë printerësh, arsenik dhe elemente tjera të dëmshme, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.