Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konstatuar se ka rënie të rasteve të gripit sezonal nën pragun epidemik.
Një informatë të tillë IKShPK-ja e ka bërë të ditur përmes një deklarate të lëshuar në faqen zyrtare të Facebook, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas kësaj deklarate, që nga fillimi i tetorit e deri më sot, në këtë institut janë paraqitur 58.206 raste të dyshimta me grip.
“Nga 01 tetori deri më 28 mars 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 58.206 raste të dyshimta në grip, 5333 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 110 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute).”, thuhet në deklaraten e IKShPK-së.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar ka edhe disa rekomandime për qytetarët, me qëllim të parandalimit të kalimit të rasteve në epidemi.
“Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët akoma të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë (sidomos në javën vijuese), të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.”, thuhet më tutje.
Në muajin Shkurt Instituti Kombëtar kishte shpallur epidemi të gripit, si rezultat i dyfishimit të rasteve nga muaji i kaluar./Gazeta Shneta/