Kryeministri Ramush Haradinaj sërish i ka quajtur mjekët heronj dhe ka thënë se pagat e tyre nuk janë dinjitoze. Ai ka kritikuar ministrin Ismaili për mungesën e barnave
Ministria e Shëndetësisë së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë kanë organizuar sot shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit me moton “Shëndet për të gjithë”.
Në këtë organizim ka marr pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili vlerësoi se shëndetësia përballet me probleme të shumta, por është zotuar se Qeveria do të punoj për ta ngritur cilësinë e shërbimeve, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj ka deklaruar se ministrit Uran Ismaili i është besuar një sektor që ka probleme të mëdha, ndërsa ka kritikuar atë për mungesën e vazhdueshme të barnave.
“Unë e kam parë se në çfarë situata ndodhen mjekë, edhe që janë heronjtë të këtij vendi askush nuk mund ta kontestojë këtë. A janë të trajtuar dinjitetshëm në paga ne e dimë që nuk janë? Një pamje tjetër është edhe infrastruktura e vjetër në shëndetësi. Kemi situatën me barna ende sfidë, listat është ende e gjata, pritjet janë shumë të gjata, shërbimet në raste të caktuara nuk i përgjigjen pacientet sepse e pamundësojnë rrethanat. Unë e shoh një seriozitet në punën që po bëhet në shëndetësi”, është shprehur Haradinaj.
Ismaili ka deklaruar se përparimet e bëra në sistemin e shëndetësisë janë cekur edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovë.
“Kjo lëvizje e shëndetësisë është shkruar edhe në raportin e Komisionit Evropian ku thuhet që Kosova ka shënuar progres në legjislacion. Kemi ngritur nivelin e llogaridhënies në shëndetësi, kemi konkretizuar fondin e sigurimeve shëndetësorë, poashtu dje kemi marr vendim që të themelojmë bordin e sigurimeve shëndetësore. Jemi duke ndërtuar kapacitete për të përmirësuar sektorin e shëndetësisë në mënyrë që askush të mos varfërohet pasi të merr një trajtim shëndetësorë”.
Dita Botërore e Shëndetit është një forum për informimin dhe diskutimin rreth shëndetit në botë. Ajo festohet çdo vit në 7 prill në 193 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Caktimi i ditës Botërore të Shëndetit ishte një nga aktet e para zyrtare të OBSH-së. Që prej vitit 1950 Dita Botërore e Shëndetit i kushtohet një çështje të caktuar specifike që përbën shqetësim botëror.