Ajo ishte nisur me urgjencë për në QKUK nga Spitali i Gjakovës, me arsyetimin për lindje të parakohshme. Por, menjëherë pas lindjes, gjendja e Drilona Lleshi-Morina, 32 vjeçare, do të komplikohej, derisa tri operime i ka bërë për 5 ditë.
Derisa, familjarët thonë edhe pas dy javësh nga vdekja e Drilonës, nuk dinë shkaktarët e vdekjes, e cila ka lënë pas vetes një fëmijë të porsalindur.
Akuzat drejtohen nga gjinekologu dhe më pastaj edhe ndaj spitalit në Gjakovë dhe QKUK-së. Marigona Lleshi, motra e së ndjerës, thotë se mjekët në QKUK, futjen në operim të Drilonës e kishin arsyetuar me heqjen e mitrës, përmes së cilës tentohej të ndalej gjakderdhja, por ajo nuk u hoq asnjëherë.
Në anën tjetër, gjinekologu Hasan Mangjuka, që e trajtoi gjatë shtatzënisë të ndjerën, tha se nuk kishte vërejtur ndonjë komplikim shëndetësor. Drejtuesit e spitalit të Gjakovës thonë se Drilonën e kishin nisur me urgjencë për në QKUK, pasi dyshonin se ishte nisur një lindje para kohe.
Ndërsa, QKUK ka hequr përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se përkundër kujdesit maksimal nga ana e stafit mjekësor, pacientja nuk kishte arritur të mbijetojë.
“Pas përkeqësimit të gjendjes, konsiliumi i mjekëve të Klinikës së Gjinekologjisë ka vendosur që ta operojë për herë të dytë pacienten, ku pas operacionit i janë ndalur gjakderdhjet. Përkundër përkujdesjes maksimale nga stafi mjekësor, pacientes sërish i përkeqësohet gjendja dhe dërgohet në mjekimin intensiv qendror. Ekipi i mjekimit intensiv qendror ndërmerr të gjitha masat e nevojshme reanimatore dhe pacientja prapë operohet nga gjinekologët, urologët dhe kirurgët vaskularë. Mitra nuk është larguar sepse nuk ka pasur indikacione, pra nuk ka pasur gjakderdhje”, thuhet në përgjigjen e QKUK’së.
Familja e të ndjerës tanimë kanë deponuar një deklaratë në Policinë e shtetit, ndaj mjekëve të QKUK-së të cilët e trajtuan Drilonën.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka konfirmuar se në bashkëpunim me prokurorinë janë duke e trajtuar këtë rast./ GazetaExpress/