Kardiokirurgu Dr. Adem Grbolar nga Klinika e Kardiokirugjisë në QKUK ka mohuar statistikat e nxjerra nga kjo klinikë për mortalitetin për vitin 2018.
Të dhënat për operacionet dhe mortalitetin të nxjerra nga Klinika e Kardiokirugjisë janë publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në platformen “opendata.rks”. Nga këto të dhëna del se Kardiokirurgjisë i kanë vdekur 28 pacientë nga 100 sa janë operuar në total, shkruan Gazeta Shneta.
Por Dr. Grbolar, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se shifrat e publikuara nuk janë as përafërsisht reale. Sipas tij vdekshmëria në këtë Klinikë është shumë më e vogël.
Ai thotë se rastet urgjente, ku vdekshmëria në gjithë botën është shumë e lartë, në Klinikën Kardiokirurgjike brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, arrin në rreth 10 për qind, derisa për rastet jo-urgjente, vdekshmëria është rreth 5 për qind.
“Shifrat nuk janë reale. Ne në Kardiokirurgji kur kemi filluar para një vit e gjysmë me stafin e ri, kemi pasur 100 operacione dhe asnjë vdekje. Prej fillimit deri tash nuk kemi dërguar asnjë pacient jashtë vendit, duke i përkrahur gjithë pacientët dhe duke i trajtuar. Po habitem me këto shifra të publikuara. Te ne po punohet 24 orë dhe po bëhet një punë e madhe, ndonëse nuk e bëjmë publike punën, ta promovojmë ose diçka të tillë. Por, e di se është një sukses i madh prej fillimit të funksionimit 24 orë”.
“Përqindja e vdekshmërisë te rastet me rrezikshmëri të madhe, pra rastet urgjente, vdekshmëria te ne është diku rreth 10 për qind. Ka raste kur në botë shkon edhe deri në 40 për qind”, tha Grbolar.