Ekzistojnë hulumtime në të cilat është studiuar efekti i konsumimit të hurmave në lehtësimin e lindjes.
Ky është një studim klinik ku janë përfshirë 210 gra shtatzëna më një fryt (pra, jo me binjakë ose trenjakë), në moshën e shtatzënisë 37-38 javë.
Studimi u krye në Spitalin Omolbanin, Mashhad në Iran në vitin 2013. Këto gra u ndanë në mënyrë të rastësishme në dy grupe me nga 105 shtatzëna (grupi eksperimental dhe grupi i kontrollit). Duke filluar nga java e 37 e shtatzënisë, shtatzënat në grupin eksperimental hëngrën 70-75 gramë hurma në ditë deri në momentin e lindjes, derisa shtatzënat në grupin e kontrollit morën kujdesin rutinor.
Rezultatet e këtij studimi treguan se Bishop score në pranim ishte më i madh në grupin eksperimental, krahasuar me grupin e kontrollit (sa më i lartë që të jetë Bishop score aq më e favorshme është lindja vaginale). Dilatimi i qafës së mitrës në pranim në grupin eksperimental ishte dyfish më i madh se sa në grupin e kontrollit. Po ashtu, përqindja e induksionit të suksesshëm ishte me e lartë në grupin eksperimental, shkruan Shije.
Si përfundim, dilatimi i qafës së mitrës ishte më i madh te shtatzënat të cilat kishin konsumuar hurma, krahasuar me grupin e kontrollit të cilat kishin marrë kujdesin rutinor. Derisa hurmat janë fruta që japin energji dhe lënd ushqyese, këta hulumtues e rekomandojnë për gratë shtatzënat në javët e fundit të shtatzënisë.
Ky studim është bërë në një numër të vogël të shtatzënave dhe rezultatet e tij mund të jenë të diskutueshme, por derisa hurmat janë fruta të shëndetshme, atëherë është mirë që t’i hani pa pasur frikë se mund ta rrezikoni beben tuaj.
Hurmat japin një efekt të ngjashëm sikurse dhënia e oksitocinës duke e bërë muskulin e mitrës më të ndjeshëm. Po ashtu, konsiderohet se përveç stimulimit të kontraksioneve të mitrës, hurmat e ulin rrezikun për shfaqjen e gjakrrjedhjes pas lindjes.
Hurmat përmbajnë acide yndyrore të ngopura dhe të pangopura si acidi oleik, linoleik dhe linolenik të cilat ndihmojnë në prodhimin e prostaglandinave. Po ashtu, hurmat kanë serotoninë, taninë dhe kalcium të cilat ndihmojnë tkurrjet e muskulit të mitrës. Hurmat, gjithashtu e pengojnë kapsllëkun dhe në këtë mënyrë i bëjnë më efektive tkurrjet e mitrës.