Një grua në ditët e fundit të shtatzënisë është shtrirë në klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. Burri i saj ka ardhur për ta vizituar dhe për të kaluar kohën me të. Ai i ka sjellë ushqim e pije, por jo vetëm kaq.
Burri i solli edhe cigare gruas e cila e mban beben në bark. Të dy bashkë shihen duke tymosur duhan në oborrin e Gjinekologjisë, e mbase duke bërë plane për të ardhmen e fëmijës së tyre, shkruan Gazeta Shneta.
Kaq pak janë të informuara gratë për veprimet e tyre që ndikojnë tepër keq në shëndetin e foshnjës të cilën e mbajnë në bark për nëntë muaj. Kjo konfirmohet edhe nga motra pediatrike Sadije Preniqi Breznica, e cila është edhe udhëheqëse e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas në Gjinekologji.
“E them me keqardhje, gjithë ky fluks i informacioneve në internet, nënat kanë shumë pak informacione profesionale për shtatzëninë, pas lindjes, higjienën e të tjera”, thotë motra në një bisedë për Gazeta Shneta.
Ajo punon në klinikën e Gjinekologjisë që nga janari i vitit 1982. Tani ushtron edhe funksionin e shefes së repartit të pranimit. Qe dy vite merret edhe me edukimin e nënave paranatale dhe pas lindjes.
Ajo flet me kënaqësi për punën që e kryen me nënat. I tregon edhe mesazhet mirënjohëse dhe pyetjet që nënat ia dërgojnë në viber.
“Flas me to deri në orët e vona të mbrëmjes. Bile nganjëherë edhe burri po më kritikon që nuk po i përgjigjem pyetjeve të tij”, shprehet ajo.
Motra Sadije tregon se si nënat shtatzëne përgatiten për metodat lehtësuese për lindje, fizikisht dhe në mënyrë psikike, për teknikat lehtësuese si dhe për nënat pas lindjes e veçanërisht ato që shkojnë sefte.
Këto trajnime i mbajnë dy herë në javë, të martën me nënat pas lindjes dhe të enjten me ato paranatale.
“Nënat paranatale të cilat janë të shtrira në spital, fillimisht hezitojnë me ardhë në ligjërata, por më pas e shohin se ia vlen sepse kanë pak informacione, nuk i dinë pasojat e lindjeve cezariane. Ato kërkojnë të lindin me prerje pa asnjë arsye dhe ne shpesh herë ua ndërrojmë bindjen”, tregon Preniqi-Breznica.
Ligjëratat mbahen për nënat që shtrihen në Gjinekologji para lindjes. Ka raste kur nënat shkojnë edhe me dhimbje dhe menjëherë pas ligjëratave ndodh të dërgohen në sallën e lindjes.
Motra Sadije konsideron se mungesa e informacioneve është pasojë e asaj që në vendet e zhvilluara mbahen klasat paranatale ku bashkëshortët, çiftet marrin pjesë për t’u informuar për planifikimin e shtatzënisë, si duhet me u përgatit, me i ndryshu rutinat, praktikat e këqija, duhani, alkooli, drogat, dhe pastaj fillohet shtatzënia.
“Ne ju ofrojmë ligjërata nënave jashtë klinikës, por ka pak gra që vijnë dhe interesohen për t’i ndjekur ligjëratat”.
“Janë vetëm dy raste kur kanë ardhur edhe burrat”, tregon ajo.
Motra pediatrike vlerëson se jo gjithmonë nënat i japin të dhënat e sakta në formularin që mbushet para ligjëratave. Kjo ndodh sidomos në rastin e konsumimit të duhanit.
Në ligjëratën e fundit janë vetëm dy nëna që kanë pohuar se kanë pirë dhe vazhdojnë të konsumojnë duhan.
“Prandaj nënat që planifikojnë shtatzëninë, duhet të vijnë të informohen për veprimet që kanë pasoja negative gjatë këtij procesi”, shprehet infermierja.
Ajo tregon se si nënat kur shkojnë në ligjërata hezitojnë të bëjnë pyetje, por ka edhe raste që besojnë në bëstytni të ndryshme.
“Ka nëna që vijnë me Coca Cola në dorë sepse iu ka thënë dikush që kjo pije i ndihmon në lindje, ose thonë se boza iu ndihmon në ardhjen e qumështit të gjirit. Dhe ne sigurisht që ua shpjegojmë që këto praktika janë të gabuara, ndonëse duhet në mënyrë indirekte sepse duhet fituar besimin te to”.
Te nënat pas lindjes mbahet ligjërata kryesisht për gjidhënien, si problemi më i shpeshtë. Motra Sadije thotë se nuk kanë të dhëna të sakta për depresionin pas lindjes pasi nënat lirohen nga klinika 1-4 pas lindjes dhe depresioni mund të shfaqet edhe më vonë.
Ajo thotë se një nga mënyrat për të shmangur depresionin është gjidhënia e cila e relakson nënën, por sigurisht që rol të rëndësishëm luan edhe përkrahja e familjes.
Motra ka një vërejtje për pacientet të cilat shkojnë me xhinse në spital.
“Ju bëjë thirrje që të marrin mantila ose funde, në mënyrë që kur të hyjnë te mjeku, të jenë të dinjitetshme. Klinika nuk ka mundësi që të ketë mantile për secilën nënë”.
Motra Sadije tregon se ka pasur raste të lindjes edhe në veturë para hyrjes së klinikës, pasi nuk ka pasur kohë për të futur brenda nënën dhe lindja është kryer pa ndonjë komplikim.
Ajo shpreh shqetësimin ndaj shumë familjarëve që sillen keq ndaj stafit.
“Kemi probleme me familjarët që vijnë të stresuar dhe shfryjnë mllefin te ne. Përballemi me shumë sharje. Janë pak ata që vijnë dhe sillen mirë me neve. Por me këtë nuk dua t’i shfajësojë edhe personelin shëndetësor”, ka thënë ajo. /Gazeta Shneta/