Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, prodekani i Fakultetit të Mjekësisë Kreshnik Hoti, janë takuar sot me një delegacion nga “Global Health Policy Research Lab” të Dartmouth “Nelson A. Rockefeller Center for Public Policy”, SHBA.
Sipas një njoftimi, gjatë takimit në mes të kryetarit të OFK Arianit Jakupi, Prodekanit të Fakultetit të Mjekësisë Kreshnik Hoti dhe delegacionit nga SHBA u diskutua për rolin e farmacistëve në sistemin shëndetësor, procesin e dhënies së barnave me recete, çmimet e barnave, posaçërisht për kujdesin paliativ të pacientëve dhe gjithashtu edhe çështja e trajnimit të farmacistëve në lidhje me barnat për menaxhimin e dhimbjes, transmeton Gazeta Shneta.
“Me këtë rast biseda u fokusua në procesin e licencimit/rilicencimit ku farmacistëve gjatë trajnimit në fazën e procesit të praktikës profesionale para marrjes së licencës tu jepet trajnimi adekuat rreth këtyre proceseve për të cilat OFK mund të mirëpresë ndihmën nga Dartmouth”, thuhet në njoftim.
“Për farmacistët do të jetë e mirëseadhur që praktika profesionale të jetë e strukturuar dhe me program të qartë të harmonizuar me programet adekuate të cilat kanë në fokus profesionalizmin dhe ndihmën ndaj pacientëve, por ku gjithashtu precizohet qartë edhe roli i OFK përmes komisioneve profesionale në mënyrë që u mundësojnë farmacistëve të ri që kalimin e kësaj periudhe të trajnimit ta bëjnë me profesionalizëm të lartë”. /Gazeta Shneta/