Gjykata e Apelit, e ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës, në rastin e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, duke e dënuar këtë të fundit me tre vjet burg efektiv për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Po ashtu, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Apeli e ka dënuar me dy vjet e katër muaj burgim edhe të akuzuarin Bekim Fusha, ndërsa me dy vjet e tetë muaj burgim e ka dënuar të akuzuarin Zenel Kuqi.
Gjithashtu, shkalla e dytë i ka dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht, në një periudhë verifikimi prej një vjetësh, edhe të akuzuarit tjerë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në këtë rast, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqin.
Për dënimin e tyre, Apeli ka njoftuar përmes një komunikate për media. “Gjykata e Apelit, e ka aprovuar pjesshëm ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës, në rastin e të akuzuarve I.T., B.F.,Z.K.,V.H.-P.,R. Th. dhe F.T. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 06.06.2018, është ndryshuar nga aktgjykim LIRUES në aktgjykim DËNUES. Të akuzuarit në fjalë, janë shpallur fajtor nga ana e Gjykatës së Apelit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës dhe janë gjykuar: I.T. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 3 vjetësh. B.F. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 vjet e 4 muajsh. Z.K. me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 2 vjet e 8 muajsh. Ndërsa V.H.,F.T. dhe R. Th., secilën veç e veç, me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajsh”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Këto dënime, sipas njoftimit të Apelit do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë se aktgjykimit, ndaj të cilit palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës. Sipas Apelit, nga provat që janë pjesë e shkresave të lëndës, janë përmbushur të gjitha elementet e veprave penale, për të cilat ata janë shpallur fajtorë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2018, i kishte shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajn, Zenel Kuçin, Bekim Fushën, Valentina Haxhijajn, Florije Tahirin dhe Remzije Thaqin.
Sipas kryetares së trupit gjykues në shkallë të parë, Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale më të cilat ngarkoheshin. Por, aktgjykimin e Themelores, PSRK-ja e kishte kundërshtuar me arsyetimin se ai është marr me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.
*Shkrimin e plotë mund ta lexoni në betimipërdrejtësi.com