Në javët dhe muajt e parë pas lindjes së foshnjës, një sfidë tjetër për prindërit është gjumi. Gjumi i plotë dhe zgjimi gjatë natës.
Tek foshnjet në javët e para pas lindjes, periudhat e gjumit variojnë nga 2-4 orë dhe ato të zgjimit janë të shpërndara njësojë si gjatë natës ashtu edhe gjatë ditës. Kështu, periudhat e të qenit zgjuar nuk janë të lidhura ende me ditën ashtu sikur edhe periudhat e gjumit nuk janë të lidhura me natën.
Pra, foshnja në 2 javët e para nuk e ka të ditur ende konceptin ditë-natë. Për të kuptuar këtë, atij do ti shërbejnë një mori stimulimesh si tregues të natyrshëm të kohës.
Shembull drita e ditës, errësira e natës, zhurma e ditës, errësira e natës, ndërrimi i rrobave (veshja e pizhameve), nderimi i pelenave si dhe kontaktet periodike që ka me prindërit, vëllezërit, motrat dhe të tjerët në familje. Pas javës së 2-të gjumi i fëmijës fillon e bëhet gjithmonë më i rregullt. Si rezultat, foshnja fle në mbrëmje në të njëjtën kohë dhe zgjohet natën rreth të njëjtës kohë. Dhe kështu brenda javës së 15-të, foshnja ka zhvilluar një ritëm më të qëndrueshëm gjumë-zgjim.
Mirëpo duhet të kemi parasysh që si çdo proces tjetër zhvillimi edhe gjumi zhvillohet në kohë të ndryshme dhe dallon nga fëmija në fëmijë. Formimi i ritmit cirkadian dhe i një ritmi të rregullt gjumë-zgjim, me gjumë të pandërprerë varet nga një fazë pjekurie, e cila ndodhet në një zonë të caktuar të trurit të quajtur truri Rhombenzephalon. Megjithatë, 70% e foshnjave flenë pa ndërprerje që në fund të muajit të 3-të të jetës.
Përjashtim bëjnë fëmijët e lindur para kohe, do të thotë ata që lindin 3-14 javë përpara datës së parashikuar. Për këta fëmijë koha e dhënë më sipër merr vlerë nga koha e parashikuar e lindjes dhe jo nga momenti i lindjes. Për shkak se pjekuria e ritmit gjumë-zgjim, rrjedh si pasoj e një rregullsie të brendshme e pavarur nga koha e lindjes.
Përgatitjet për vënien e fëmijës në gjumë
Nëse foshnja fle vetëm në shtratin e tij, çfarë duhet të bëjnë prindërit që ta përgadisin atë për gjumë:
Fëmija duhet të ndihet i sigurt dhe temperatura e dhomës duhet të jetë rreth 22-23 gradë celsius.
Nëse fëmija fle në shtrat të rrethuar me kangjella, duhet të pasur kujdes që ato të mos jenë më tepër se 7 cm larg njëra tjetrës.
Veshja të jetë njëshe. Mbulesa është mirë të jetë zarf i gjumit sepse janë më të përshtatshme se jorganët, meqenëse fëmijës i lihet hapësirë e mjaftueshme për të lëvizur. Si dhe ato mund të shërbejnë për ta si një sinjal shumë i mirë që tashmë ka ardhur koha e gjumit. Po ashtu edhe jashtë shtëpisë, fëmijën e zë gjumi më lehtë nëse e vëmë për të fjetur me pizhamet dhe zarfin e tij të gjumit.
Kontributi i prindërve që fëmijët të bëjnë gjumë të plotë
Në muajt e parë të jetës organizmi fëmijëror mundohet shumë, atij i duhet të përshtatet me shkëmbimin ditë-natë, dhe nga ana tjetër sjellë një ritëm në aktivitetin e tij trupor dhe psikik. Këto detyra plotësohen në periudha të ndryshme nga secilën foshnjë. Disa prej tyre kanë një shtytës të brendshëm për rregullsi dhe ata e zhvillojnë në njëfar mase vetëvetiu ritmin cirkadian. Këta fëmijë arrijnë herët të bëjnë gjumë të plotë.
Disa të tjerë kanë nevojë për ndihmën e prindërve për të arritur rregullsinë në gjumin dhe zgjimin e tyre. Ata kanë nevojë për ndihmën e prindërve që ta arrijnë qëndrueshmërinë dhe rregullsinë e gjumit dhe zgjimit. Prindërit mund të ndihmojnë fëmijët për të gjetur ritmin e tij duke formuar për ta një jetë të rregullt, lidhur me orarin e ushqyerjes, të gjumit dhe veprimtarive të tjera.
Fëmijët me një ritëm të rregullt, të pandryshueshëm gjumë-zgjim janë më të vëmendshëm, më të interesuar për mjedisin, qajnë më pak dhe janë më të kënaqur se sa fëmijët që kanë një ritëm të çrregullt. Një qëndrim i rregullt, i pandryshueshëm, i transmeton fëmijës edhe ndjenjën e të qenit i mbrojtur.
Pozicionet e gjumit
Këshilla aktuale e mjekëve pediatër është që foshnjet të vihen të flenë mbi kurriz. Ata fëmijë që nuk ndihen mirë në këtë pozicion ( fëmijë të tillë natyrisht që ekzistojnë!) të vihen në pozicionet që ata ndihen më mirë dhe mund të flenë rehat!/Gazeta Shneta/
Shkroi: Pajtesë Hoxha Peqani, psikologe