Beben tashmë e keni lindur dhe me siguri do të keni nevojë të kuptoni se cfarë do të ndodhë më pas. Kryesisht gjatë javës së parë për ju shumë gjëra mund të jenë vërtet të panjohura.
Prandaj 11 gjërat që ju si nënë duhet të dini rreth bebes tuaj janë:
Pasi keni lindur beben, në spital!
Do të kontrolloheni shpesh si ju edhe fëmija nga mjekët e spitalit. Madje bebes mund t’i bëhen edhe disa analiza. E rëndësishme është t’i bëhet sidomos analiza e sëmundjeve metabolike. Gjithashtu duhet të kërkoni nga stafi t’ju ndihmojë të vendosni beben si duhet në gji, si ta lani dhe për cdo gjë tjetër që mund të keni të paqartë. Për një gjidhënie më efektive duhet të kërkoni që beben ta vendosin që ditën e parë në dhomën tuaj.
Për të favorizuar lidhjen me beben.
Kontakti fizik është shumë i rëndësishëm. Me siguri mjekët që në sekondat e para të jetës do të vendosin fëmijën sipër lëkurës tuaj. Kjo do të jetë tepër e rëndësishme edhe për gjidhënien. Edhe babai nuk duhet të përjashtohet më pas nga ky kontakt intim me fëmijën.
Rikthimi në shtëpi me beben.
Normalisht do t’ju duhet të keni me vete koshin e përshtatshëm për peshën e fëmijës. edhe pse i porsalindur duhet të udhëtojë me makinë në mënyrën e duhur. Pasi jeni kthyer në shtëpi dalëngadalë do të filloni të mësoheni me sinjalet që do t’ju japë fëmija. Mes zgjimeve të shpeshta dhe ushqyerjes me gji, vizitat e miqve mund t’i presë edhe bashkëshorti. Për ju dhe fëmijën është tepër e rëndësishme të pushoni.
Ushqyerja me gji.
Beben normalisht është mirë ta ushqeni me gji. Në lidhje me këtë nuk ka orar. Pra gjiri ofrohet sa herë kërkon fëmija. Nëse për një X arsye do të vazhdoni ushqyerjen me formulë duhet të kërkoni mendimin e pediatres në lidhje me oraret. Ju këshillojmë përdorimin e jastëkut të gjidhënies i cili do t’ju ndihmojë edhe në menaxhimin apo reduktimin e dhimbjeve të shpinës.
Mekoniumi i parë.
Pra defekimi i parë i bebes. Gjatë ditëve të para bebi do të defektojë në mënyrë të “cuditshme”. Ngjyra e fecesit do të jetë me siguri jeshile e errët në të zezë. Dhe shpesh do të jetë e vështirë ta pastroni. Zakonisht mekoniumi del brenda 24 orëve të para të jetës. Nëse kjo vonon duhet të flisni me mjekun pasi mund të jetë shenjë paralajmëruese se dicka nuk shkon.
Fecet e mëpasme të bebes.
Pas mekoniumit fecet do të jenë me pamje krejt tjetër. Mund të vazhdojnë në ngjyrë jeshile por jo ngjitëse. Zakonisht fecet e bebeve që ushqehen me gji do të jenë ngjyrë të verdhë dhe kremoze. Pa aromë të keqe. Nëse bebet do të ushqehen me formulë do të kenë fece me ngjyrë të verdhë të hapur ose kafe.
Urinimi dhe defekimi i bebes.
Gjatë ditëve të para të jetës duhet të siguroheni që bebi juaj defekon dhe urinon si duhet. Kjo është shenjë treguese se është duke u ushqyer mirë. bebet duhet normalisht të lagin minimum 6-8 bebelina në ditë. Mund të ndodhë që bebi të defekojë pas cdo pirje. Ndërsa bebet që ushqehen me formulë do të kenë defekim më të rallë.
Kujdesi ndaj kordonit ombelikal.
Sipas OBSH duhet të mbani zonën e kordonit ombelikal sa më thatë të jetë e mundur. Kështu do të siguroheni që shërimi të ndodhë më shpejt. Zakonisht ai bie rreth 7-15 dita nga lindja e bebes. Garza ndërrohet kryesisht 3 herë në ditë.
Banjoja e bebes.
Zakonisht nuk këshillohet që bebet të lahen cdo ditë. Mund të prisni derisa të bjerë kordoni për t’i bërë banjon në shtëpi. Megjithatë nëse vendosni për të kundërtën duhet ta bëni me kujdesin më të madh që të mos laget zona e kordonit ombelikal. Temperatura e ujit të banjos së bebes duhet të jetë rreth 35 gradë.
Një gjumë i sigurt i fëmijës.
Bebet duhet të flejnë gjithmonë me barkun sipër! Dysheku duhet të jetë i tillë që të mos mundësojë zhytjen e fëmijës dhe nuk ka nevojë të përdoret jastëk. Kurrë mos pini duhan në ambientin ku qëndron, dhe mbi të gjithë fle një bebe!
E ledhatoni sa më shumë beben.
Mos dëgjoni askënd që ju thotë “po e morre në krah e llastove”. Ai fëmijë ka nevojë për ju dhe kujdesin tuaj, prandaj e qetësoni duke e marrë në krahë dhe vendosur në gji sa herë të ketë nevojë. Mos harroni se ka dalë nga barku dhe e vetmja gjë që i fal siguri jeni ju, aroma juaj, rrahjet tuaja të zemrës!