Gjinekologu shqiptar në Zvicër Dr. Avdullah Krasniqi në një intervistë për Gazetën Shneta ka folur për gjendjen me koronavirus në vendin ku jeton ai. Krasniqi thotë se Zvicra e ka përballuar mirë Covid-19, për dallim nga vendet të cilat e rrethojnë si Italia, Gjermania të cilat janë goditur mjaft shumë.
Krasniqi ka treguar se në spitalin ku punon ai kanë qenë rreth 30 raste të grave shtatzëna të prekura nga koronavirusi. “Të gjitha kanë shkuar mirë, përveç një rasti që është dashur të kryhet operacion cezarian në javën e 32-të, por edhe beba edhe nëna janë mirë”, ka deklaruar Krasniqi.
Mjeku shqiptar ka treguar se nuk ka asnjë të dhënë deri më tani se virusi mund të transmetohet nga nëna tek foshnja. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë trajtim me ndonjë terapi të veçantë për shtatzënat me virus. Sipas tij gratë shtatzëna nuk është se janë më të ndjeshme ndaj virusit sesa personat tjerë, ose nëse ka shkaktuar pasoja më të mëdha.
Ai ka thënë se në Zvicër deri më tani nuk ka pasur raportime për vdekje të grave shtatzëna.
“Janë disa informacione deri më tani por nuk e di sa janë të sakta, psh dyshohet se mund të ndikoj në rritjen e fëmijës dmth me lind fëmijën më të vogël. Por derisa virusi nuk transmetohet nga nëna tek foshnja atëherë nuk ka arsye për ndikim direkt. Por rekomandohet që për ta parandaluar ndonjë problem atëherë të vizitohet mjeku dhe të bëhet ekografi çdo dy deri në 4 javë”, ka thënë mjeku.
Ai ka thënë se deri më tani nuk ka prova shkencore se virusi ka pasur ndikim në rritjen e fëmijës.
Ndiqeni intervistën e tij të plotë. /Gazeta Shneta/