Inspektorati Shëndetësor ka kapur një gjinekolog afrikan me nënshtetësi gjermane duke punuar pa licencë në Kosovë. Mjekut i është ndaluar puna ndërsa ai dhe klinika “Deutsche Frauenklinik” janë gjobitur nga Inspektorati
Inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor shkuan në një inspektim të rregullt në Spitalin Special Gjinekologjik me Obstetrikë “Deutsche Frauenklinik” në Prishtinë më datën 25 shkurt të këtij viti.
Funksionimi i këtij spitali do të ishte në rregull, nëse nuk do të punonte pa licencë një mjek afrikan me nënshtetësi gjermane. Dr. Oumar Camara është zënë duke punuar pa dokumentet e nevojshme për të ushtruar funksionin e tij në Kosovë, shkruan Gazeta Shneta.
Kryeinspektorja e ISH-së, Dr. Ardita Baraku, ka treguar se mjeku kishte kryer dy operacione gjatë kohës sa ishte duke punuar pa licencë.
“Gjatë inspektimit ISh ka konstatuar se në këtë institucion kishte ofruar shërbim shëndetësor mjeku jo-kosovar Dr. Oumar Camara, gjinekolog, me nënshtetësi Gjermane, pa leje të punës nga MSh. Në bazë të shënimeve në regjistrin e pacientëve në ditën e inspektimit, ISh ka konstatuar për dy raste të ofrimit të shërbimit shëndetësor nga mjeku O.C në këtë institucion”, ka deklaruar Baraku.
Ajo ka bërë të ditur se atij i është ndaluar puna, ndërsa është gjobitur ai dhe pronari i këtij institucioni. “Mjekut i është ndaluar ofrimi i shërbimit shëndetësor deri në licencim nga MSh. Gjithashtu, mjeku (O.C) është gjobitur, sikur edhe pronari i institucionit “Deutsche Frauenklinik” , Dr.Naim Shabani”, thuhet në përgjigjen e Kryeinspektores.
Gazeta ka provuar të marr një deklaratë edhe nga zyrtarët e këtij spitali, por ata nuk janë përgjigjur në email. /Gazeta Shneta/