Gjinekologia Drita Kabashi flet për shkaqet e aborteve dhe trajtimin e tyre

2018-11-19 në ora 08:30

Aborti është mosmbajtja e shtatzënisë. Ndodh që një grua të mbetet shtatzënë, testi të dalë pozitiv dhe pas disa javësh të pësojë një gjakderdhje, prej nga edhe dështon shtatzënia.

Sipas Kabashit, aborti ndodh edhe me rekomandim të mjekut, kur ai e sheh se nuk ka zhvillim të frytit. “Disa gra për fat të keq pësojnë jo vetëm një abort por disa aborte. Diku 20 për qind të shtatzënive të para dështojnë”, thotë gjinekologia. Sipas saj, arsyet e një aborti mund të jenë të ndryshme.

“Ka disa raste kur edhe gruaja është fajtore, për shkak të aktiviteteve fizike: ka ndodhur në javën e 16 për shkak se ka marrë ka pastru diçka shumë, ka lëvizur ormanet dhe kështu i është lëshu gjakderdhja, i është derdhë uji dhe ka dështuar. Aty mund të themi se ka qenë fajtore personalisht gruaja”, thekson doktoresha.

Por, sipas Kabashit, ka gra që kur e kuptojnë se është shtatzënë mundohet ta orientojë jetën e saj asisoj që ta mbrojë frytin e vet që e ka në barkun e saj.

“Mundohet me korrigju ushqimin, mos me pasë aktivitete të mëdha fizike, me ndryshu ambientin e punës ashtu që të veprojë për mos me dëmtu shtatzëninë e vet”, thotë ajo.

Më tej, doktoresha përmend edhe sjelljet e këqija që e rrezikojnë shtatzëninë, sikur janë pirja e duhanit, përdorimi i medikamenteve, etj. Doktoresha thotë se aborti i parë është shqetësues por jo alarmues.

Por, nëse abortet ndodhin njëri pas tjetrit atëhere duhet të kërkohen shkaqet, duke bërë analiza më të thella. Doktoresha Kabashi thotë se është shumë me rëndësi të evitohen infeksionet dhe anomoalitë te të cilat mundet të intervenohet, ndërsa tha se një grua pas abortit është e prirur të pësojë një lloj depresioni për të cilin duhet të ndihmohet edhe nga mjeku që e ndjek gjendjen e saj.

“Detyra e gjinekologut është që t’ia sqarojë situatën se si është, pse ka ndodhur deri te kjo dhe në perëndim ka institute universitare që i kanë bërë të gjitha analizat dhe prapë nuk kanë gjetur shkak apo arsye të abortit”, shton doktoresha Drita Kabashi. /kallxo.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *