Shumë mjekë e mjeke, infermierë dhe infermiere, farmacistë dhe farmaciste nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare kanë pothuaj vetëm një synim: emigrimin në Gjermani.
Superfuqia ekonomike evropiane ka nevojë për specialistë nga të më ndryshmit.
Edhe vetë zyrtarët e shëndetësisë në Kosovë kanë alarmuar se mjekët po e lënë vendin për kushte dhe rroga më të mira në Evropë, shkruan Gazeta Shneta.
Në vjeshtën e vitit 2014 qeveria gjermane i ka shpallur Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë vende të sigurta, andaj asnjë shtetas i tyre nuk ka shans të marrë azil në Gjermani.
Njëkohësisht qeveria vendosi të krijojë kushte për emigrim legal të qytetarëve shqiptarë, kosovarë dhe serbë. Që nga atëherë mijëra njerëz nga rajoni kanë shkuar legalisht në Gjermani, ku janë punësuar. Bëhet fjalë për rreth 40 mijë punëtorë.
Atyre ua kanë ndërmjetësuar vendet e punës zyrat e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Agjencia Federale e Punës (BA).
Këto dy agjenci kanë hapur përfaqësi në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë dhe u ndihmojnë të interesuarve të gjejnë një vend pune në Gjermani, natyrisht nëse janë të kualifikuar për ndonjë sektor të ekonomisë gjermane, i cili ka nevojë për punëtorë.
Kjo ofertë e re gjermane është edhe një përpjekje për të penguar emigrimin ilegal nga Ballkani.
Një zyrtare e Agjencisë Federale të Punës i ka deklaruar gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” se ekziston një kërkesë e jashtëzakonshme në të dy anët – edhe në mesin e punëkërkuesve në Ballkan, edhe në mesin e firmave në Gjermani, transmeton dialogplus.
Madje, sipas saj, ka edhe raste kur vende pune në Gjermani arrijnë të gjejnë edhe punëkërkues pa ndonjë kualifikim. Më së shumti nevojë për punëtorë në sektorin e kujdesit për të sëmurët dhe pleqtë.
Rroga vjetore e një motre medicinale që kujdeset për pleqtë e sëmurë sipas një kërkimi në google, është 29 mijë e 400 euro.
Ndërsa për motrat e certifikuara nga shteti rroga arrin në 25 mijë e 200 euro dhe për infermieret e Emergjencës rroga vjetore është 33 mijë e 300 euro.
Në Gjermani mjekët e diplomuar janë më të paguarit sesa çdo i diplomuar në ndonjë fushë tjetër.
Portali i Ministrisë së Ekonomisë së Gjermanisë, ‘make-it-in-germany.com’, shkruan rroga e një mjeku arrin shifrën prej 49 mijë eurosh në vit.
Ky portal shkruan se vitet e fundit vendi përballet me mungesë të numrit të mjekëve. Madje kërkesa për mjekë do të shtohet edhe më tepër pas disa vitesh kur doktorët e tanishëm do të dalin në pension.
“Që nga prilli i vitit 2012, nëse keni përfunduar studimet për mjekësi në një vend tjetër, ju keni të drejtë të merrni leje mjekësore në Gjermani, pavarësisht nëse jeni nga një vend i BE-së apo jo, me kusht që studimet të jenë në të njëjtin kualifikim sikurse në Gjermani”, shkruan ky portal. /Gazeta Shneta/