Ambasadori gjerman Christian Heldt ka vizituar sot ministrin e ri të Shëndetësisë Dr. Arben Vitia, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e shëndetësisë.
Sipas njoftimit të MSH-së, Vitia dhe Heldt i kanë shprehur njëri-tjetrit mirënjohjen për bashkëpunimin e deritanishëm, shkruan Gazeta Shneta.
Kujtojmë se vitin e kaluar ish-ministri Uran Ismaili pati nënshkruar një marrëveshje me shtetin gjerman, ku parashihet që Kosova ta ndihmojë Gjermaninë me shtimin e kapaciteteve të stafit mjekësor, kryesisht infermierë për të cilët shteti gjerman ka mungesë dhe vende të lira për rreth 70 mijë.
Njoftimi i plotë nga MSH:
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Arben Vitia, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt.
Në këtë takim u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe shtetit gjerman, me qëllim të rritjes së cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë.
Pasi ka pranuar urimet për detyrën e re, Ministri Vitia ka shprehur përkushtimin për një bashkëpunim cilësor me shtetin gjerman, Qeverinë dhe popullin e të cilit shtet, e ka falënderuar për ndihmën e dhënë Kosovës si në rrafshin politik, ashtu edhe në kuadër të fushës së shëndetësisë.
Nga ana e tij, Ambasadori Heldt ka rikonfirmuar se Ministria e Shëndetësisë e Republikës Federale të Gjermanisë, do ta ndihmojë sistemin shëndetësor në Kosovë në ngritjen e kapaciteteve në shumë fusha të rëndësishme brenda këtij sistemi.