Sot është vënë gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, i cili është një nga projektet e paraqitura në konferencën e donatorëve nga ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Vënien e gurthemelit të kësaj qendre e bëri ish-kryetarja e Gjakovës, Kusari-Lila së bashku me nënkryetarin e kësaj komune, Armend Vokshin si dhe të parin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në Gjakovë, Basri Komonin. Armend Vokshi, nënkryetar i komunës së Gjakovës tha se ky është një projektet i paraqitura në konferencën e donatorëve nga ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Ish-kryetarja e komunës së Gjakovës, tashmë deputete në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila u shpreh e lumtur që synimi i tyre për zhvendosjen e kësaj qendre në një lokacion tjetër më të përshtatshëm po bëhet realitet. “Është një ndjenjë e mirë, që një punë shumëvjeçare po kurorëzohet me sukses. Për ne ka qenë shumë me rëndësi prej ditës së parë, që të bëhet dislokimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, pasi është një objekt shumë i vjetër që ka mbi 50 vite, pasi ka shumë probleme infrastrukturore”, tha Kusari-Lila.
Ndërkaq, drejtori për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, Basri Komoni tha se objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare do të sjellë shërbime më të mira për pacientët.
Projekti për ndërtimin e këtij institucioni shëndetësor financohet nga Ministria e Shëndetësisë, si rezultat i marrëveshjes që është arritur me Kuvendin Komunal të Gjakovës.