Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka reaguar ashpër pas mbajtjes së konferencës “Turizmi Shëndetësor” në Prishtinë. FSSHK ka ngritur dyshime se pas kësaj konference fshihet një krim i organizuar në dëm të pacientëve kosovarë
Spitali Amerikan dhe Genesis Clinic kanë organizuar një konferencë ndërkombëtare gjatë ditës së djeshme në Prishtinë me titull “Turizmi Shëndetësor” që kishte në fokus trajtimin e infertilitetit.
Në këtë konferencë ndër të tjerë ka marr pjesë edhe kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Dr. Pleurat Sejdiu, i cili njëherit është edhe i punësuar në Spitalin Amerikan, shkruan Gazeta Shneta.
Pjesëmarrjen e Sejdiut në këtë konferencë e ka cilësuar si skandaloze Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.
“Skandaloze, edhe pse kohë më parë i kemi paralajmëruar strukturat e larta shtetërore dhe profesionistët shëndetësor se Dr. Pleurat Sejdiu nuk është i denjë që t’i mbrojë të drejtat profesionale të punëtorëve shëndetësor, kjo është vërtetuar dje”, thuhet në reagimin e FSSHK-së.
Në konferencën e mbajtur dje Spitali Amerikan ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Greqinë dhe Rumaninë për hapjen e një shoqate të turizmit shëndetësor. E FSSHK po e sheh me shumë dyshime këtë marrëveshje.
“Të nderuar profesionist shëndetësor dhe popullatë e gjerë, sot kemi qenë dëshmitar të një mbishkrimi të një artikulli me titull ‘Spitali Amerikan në Kosovë nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Greqinë dhe Rumaninë’ ku prezent ishte edhe Kryetari I Odës së Mjekëve të Kosovës Dr. Pleurat Sejdiu(President I Urdhërit të Mjekut në Kosovë ) e aq më keq në takim bëhej fjalë për IVF e që nënkupton( transplantim të indeve dhe organeve) gjë e cila është duke u diskutuar në ligjet aktuale dhe në plotësim-ndryshimin e ligjeve për sektorin e shëndetësisë”.
FSSHK thotë tutje se në këtë konferencë nuk ka qenë ministri i Rumanisë por ish-ministri, si dhe thekson pjesëmarrjen e personave të dyshimtë duke aluduar në kryetarin e Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës, Gani Bajraktari, i cili është i përfshirë në aktakuzën për skandalin e stentave. Bajraktari po ashtu punon në Spitalin Amerikan.
“Duke qenë se prezent ishin persona të dyshimtë gjithmonë duke u thirrur sipas mediave(sqarim nuk ishte Ministri I Shëndetësisë së Rumanisë por ish-Ministri I Shëndetësisë sepse aktualisht Ministria e Shëndetësi së Rumanisë udhëhiqet nga Ekonomistja Sorina Pintea), atëherë kjo lenë për të dëshiruar. Andaj mund të flasim për një dyshim për krim të organizuar në shëndetësi”, thuhet në reagimin e Federatës.
Sejdiu në një deklaratë për Gazeta Shneta ka kundër reaguar duke thënë se në këtë konferencë ishin të ftuar ai dhe nënkryetari i OMK-së si mysafir.
“Kushdo që thërret unë e përfaqësoj Odën dhe e kam përshëndetur sepse ka qenë një tubim shkencor për gjinekologji dhe kam kërkuar që edukimet e vazhdueshme për profesionistët shëndetësor të vazhdojnë”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka shtuar se konferenca ka qenë me temë për të arriturat e fundit për trajtimin e infertilitetit.
Akuzave të FSSHK-së Sejdiu iu është përgjigjur me këtë deklaratë:
“Nuk mirrem me sharlatanët individual por nëse kanë fakte le të urdhërojnë dhe t’i qesin”.
Në anën tjetër reagimi i FSSHK-së vazhdon duke hedhur dyshime për marrëveshjen e nënshkruar me një vend që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.
“Edhe më keq vet titulli tregon se dy shtetet të cilat nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi nuk e njohin shtetësinë e Republikës së Kosovës e në anën tjetër e njohin turizmin shëndetësor(vjeljen e parasë nga qytetarët e RKS-së), kjo nuk don koment”, thuhet në reagim.
FSSHK ka kërkuar nga profesionistët shëndetësor, kryeministri i Kosovës, Ministri i Shëndetësisë që të ndërmarrin masa ndaj siç thuhet “këtyre veprimeve dashakeqe ndaj profesionistëve shëndetësor”.
Krejt në fund FSSHK rikujton se në Kosovë ende nuk bëhet analiza e ADN-së, nuk ka bankë të spermës dhe qelizave vezë dhe ligjet nuk janë të miratuara për ta rregulluar këtë fushëveprimtari.
“Në fund nëse lejohet një gjë e tillë ne nuk po e tregojmë shtetësinë tonë”, përfundon reagimi i FSSHK-së. /Gazeta Shneta/