Flasin kardiokirurgët që lëshuan punën në QKUK: Presion dhe pengesa në punë

2020-01-03 në ora 15:02

Kardiokirurgët Dr. Raif Çavolli dhe Dr. Arbër Kutllovci kanë deklaruar se dorëheqja e tyre nga klinika vjen pas presioneve dhe pengimit në punën profesionale. Menaxhmenti i QKUK-së e ka mohuar këtë duke thënë mjekët e lanë punën pasi u angazhuan në një spital privat

Çavollli, njëri nga themeluesit e klinikës, në një deklaratë për Gazetën Shneta ka thënë se problemet kanë ekzistuar qysh para dy vjetësh, për të cilët ka thënë se i ka njoftuar drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiun dhe drejtorin e klinikës Dr. Tefik Bekteshin.

“Asnjëri prej tyre nuk ka ndërmarr asgjë për t’i evituar këto probleme. Paramendoni të shkoni në punë dhe të mos punoni asgjë, të mos keni asnjë rast”, ka thënë Çavolli. Kardiokirurgu ka thënë se diskriminimi dhe pengesat në punën profesionale janë arsyeja pse janë dorëhequr së bashku me Kutllovcin, por nuk ka specifikuar për çfarë pengesa bëhet fjalë më saktë.

Në anën tjetër Gazeta Shneta ka siguruar letrën e dorëheqjes së Kutllovcit të cilën e ka dërguar në menaxhmentin e QKUK-së. Kutllovci ka shkruar në këtë letër se në klinikë është krijuar ambient morbid i cili ia ka mbytur ambiciet e tij profesionale.

“Duke pas parasyshë pa-mundësinë e ushtrimit të drejt të profesionit tim prej kardiokirurgu (mungesa e vendim-marrjes për rastet kardiokirurgjike dhe centralizimi i kësaj vendim-marrje vetëm tek shefi, shpërndarja e rasteve në mënyrë jo proporcionale si nga numëri ashtu edhe nga patologjia, manipulimi me listat operatore, presioni i vazhdueshëm në punë për të cilat edhe ju kam njoftuar në vazhdimësi, etj etj), detyrohem që të largohem nga Klinika e Kardiokirurgjisë dhe karriren time profesionale të vazhdojë jashtë QKUK-së”, ka shkruar Kutllovci.

Por menaxhmenti i QKUK-së i ka mohuar këto arsyetime të kardiokirurgvë duke thënë se e kanë lëshuar punën pasi janë angazhuar në një institucion privat.

“SHSKUK mohon pretendimet e tyre se janë penguar në punë, pasi që Klinika e Kardiokirurgjisë, ka ofruar kushte dhe mundësi të njëjta pune për të gjithë kardiokirurgët, dëshmia më e mirë për këtë është numri i procedurave të kryer në këtë shërbim. QKUK, me qëllim të rritjes së stafit të kësaj klinike, vitin e kaluar ka shtuar numrin e kardiokirurgëve, e që ka ndikuar dukshëm në ngritjen e volumit të punës në këtë shërbim”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për Gazetën.

Menaxhmenti ka njoftuar se tanimë është në procedurë të hapjes së konkursit për dy kardiokirurgë të rinj. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *