Ndodh shpesh: fëmijët shpikin një shok të padukshëm me të cilin flasin, luajnë, grinden, një personazh fantastik që mund të rrijë gjithmonë me ta dhe tek i cili ata mund të drejtohen kur kanë nevojë. E ndiejnë nevojën që fare të vegjël dhe për ta bëhet një bashkëbisedues i veçantë, të cilit mund t’ia tregojnë të gjitha të fshehtat. Mund të marrë “identitetin” e një bashkëmoshatari, por gjithashtu mund të jetë edhe një kafshë imagjinare, një fëmijë me fuqi magjike.
Mos kini frikë. Shumë prindër shqetësohen kur i kapin fëmijët në “shoqërinë” e kësaj figure ireale. Kanë frikë se mos ndihen vetëm ose kanë vështirësi të krijojnë shoqëri. Menjëherë mendojnë se kanë bërë gabim diçka. Përballë këtij personazhi që nuk arrijnë ta shohin e ta kuptojnë, nëna dhe babai ndihen të përjashtuar dhe duan ta eliminojnë menjëherë me shprehje të llojit: “Nuk ekziston, po sajon, mos thuaj gënjeshtra…”.
Ka nevojë për shoqëri. Fëmija juaj ndien nevojën për të shpikur një mik të paqenë për të patur një shok tek i cili mund të mbështetet në çaste të vështira. Pra, mos e nënvlerësoni dëshirën e tij për shoqëri, por qetësohuni: fëmija juaj e di shumë mirë që miku nuk është real.
Përpiquni të kuptoni se ç’bën me “atë”, se për çfarë flasin: në këto lojëra, të vegjëlit shpesh zbulojnë tema delikate si dhunën, sëmundjen dhe vdekjen. Prandaj lëreni të luajë lirisht, mos e bllokoni fantazinë e tij, përkundrazi, përfshihuni edhe ju. Tregohuni e kuptueshme dhe e interesuar, për shembull mund t’i thoni: “E di që shoku është me ty dhe që është i rëndësishëm, por jam shumë kureshtare, dua të di se çfarë të tregon, pse të pëlqen, pse është kaq i veçantë…”.
Miku imagjinar përfaqëson një fazë normale të procesit të rritjes. Kur fëmija do të bëhet më i sigurt në vetvete nuk do ta ndiejë të nevojshme të “transferojë” te një personazh imagjinar detyrën për ta ngushëlluar dhe siguruar, shkruan femramoderne.