Fëmijët në Kosovë po përballen me shumë probleme psikike, në mungesë të komunikimit cilësor me prindërit, varësia nga teknologjia si dhe ngacmimet të cilët nuk raportohen. Madje njëri nga ta hyri në borxh 750 euro për shkak të lojërave online. Mjekja e QKUK-së, Mimoza Shahini, ka dhënë disa këshilla për prindërit
Ariana Ismaili
Qendra e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve në QKUK, trajton fëmijë dhe adoleshentë të moshës prej 0 deri në 18 vjeç, të cilët përballen me probleme të ndryshme. Kjo Qendër kryen shërbime ambulative në kuadër të të cilave përfshihen shërbime nga psikologu, psikiatri, pedagogu special dhe punëtoreve social.
Dr. Mimoza Shahini ka treguar për terapitë kryesore që përdoren aty. Ajo thotë se seancat zgjasin nga 45 minuta dhe metodat që përdoren janë: Psiko-terapia, puna ne grupe ku përfshihet edhe familja e të miturit dhe qasja individuale. Mjekja thekson se në rastet e nevojshme sugjerohet edhe përdorimi i barnave, shkruan Gazeta Shneta.
“Ne këtu përdorim disa metoda si psikoterapia, puna grupore që ne ftojmë edhe familjarët e të miturit nëse ka nevojë edhe qasja individuale, në disa raste të caktuara sugjerojmë edhe barna por preferohet vetëm bashkëbiseda”, ka thënë Shahini.
Ajo shton se problemet më të shpeshta me të cilat po përballen fëmijët dhe adoleshentët është menaxhimi i ankthit, hiperaktiviteti dhe stresi postraumatik.
“Problemi kryesor mbetet ankthi i kombinuar ndonjëherë me depresion, hiperaktiviteti dhe stresi postraumatik si në rastet kur klienti ka pësuar ndonjë traumë. Poashtu janë edhe refuzimi për të shkuar në shkollë, varësia nga teknologjia etj.”, ka deklaruar Shahini.
Sipas saj problemi më serioz rreth së cilit prindërit duhet me qenë me të kujdesshëm është koha e tepruar që fëmijët kalojnë në internet e që i bënë ata të varur dhe të rrezikuar.
“Interneti dhe lojërat online janë ‘ndëshkim modern’ që familja iu jep fëmijëve, pasi aty janë më të qetë dhe shpenzojnë kohën, por në të vërtet ata po ballafaqohen me varësi, ngacmime online apo pornografi”, ka deklaruar ajo.
“Kemi pasur një rast kur një 12 vjeçar ka ardhur këtu bashkë me prindin e tij dhe kanë deklaruar se ka hyrë borxh 750 euro përmes lojërave online dhe është mjaft shqetësuese sepse këto lojëra nuk i lënë ata të heqin dorë edhe nëse humbin”, ka thënë Shahini.
Gjithashtu shton se kur te rinjtë kalojnë pjesë të madhe të kohës të kyçur në internet ata bëhen vetjak pasi kanë probleme që ndërlidhen me njerëzit dhe realitetin që i rrethon ata, poashtu gjuha qe përdorin në internet është jashtë çdo kornize.
Sipas saj vajzat po krijojnë varësi edhe nga blerja online e veshmbathjeve, gjë që po iu merr atyre kohë dhe vëmendje.
Mjekja thekson se ngacmimi ose bulizmi është mjaft i përhapur ndër fëmijët përmes fyerjeve. “Bulizmi është i përhapur shumë dhe shpesh mes fyerjeve që të miturit po i bëjnë njeri-tjetrit, nuk hezitojnë që të bëjnë video të njëri-tjetrit, t’i postojnë ato apo kërcënimet me foto intime që po u bëhen, këto janë të ndaluara me ligj por nuk raportohen asnjëherë, ndonëse ndikon keq tek te miturit”, ka shtuar mjekja.
Shahini thekson se komunikimi i duhur mes fëmijëve dhe prindërve ka një rëndësi të veçantë, dhe ky komunikim duhet te jetë përmbajtjesor e jo sasior.
“Prindërit duhet të dinë se çka po flasin me fëmijët e tyre dhe si po iu drejtohen, ky komunikim duhet të ketë një kuptim, pastaj edhe hapësira që ata iu lënë fëmijëve për të menduar e folur shpesh nuk është e mjaftueshme”, ka porositur ajo.
“Ka shumë prindër që krijojnë vetëbesim të ultë te fëmijët pasi që i përkrahin ata vetëm kur kanë sukses, e kjo i bënë fëmijët që të dalin nga vetja e te jetojnë idealet e te tjerëve”, ka përfunduar Shahini. /Gazeta Shneta/