Ish-shefi i Barnatores në Spitalin e Gjakovës farmacisti Hilmi Shala, është përzgjedhur drejtor në këtë institucion.
Lajmin për këtë e ka bërë të ditur ai vet nëpërmjet një postimi në Facebook ku ka postuar një fotografi së bashku me ish-drejtorin Dr. Ahmet Asllani, shkruan Gazeta Shneta.
Shala në konkursin e parë nuk kishte arritur të kalonte testin me shkrim, duke mbetur i fundit në listë me vetëm 31 pikë. Por kjo pozitë e tij është përmbysur në konkursin e dytë duke dalë i pari.
“Në Spitalin e Përgjithshëm ‘Isa Grezda’ sot u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm z.Ahmet Asllani tek Drejtori i sapoemëruar z.Hilmi Shala. Falënderoi ish-Drejtorin Ahmeti për punën që ka bërë në këtë Drejtori gjatë mandatit të kaluar”, ka shkruar Shala në postimin e tij në Facebook.
Kujtojmë se në konkursin e parë drejtor ishte përzgjedhur Dr. Sebaudin Bytyqi. Përzgjedhja e tij u anulua nga Inspektorati i Punës në shkallën e dytë. /Gazeta Shneta/