Ka pak muaj që Fakulteti i Mjekësisë në UP ia refuzoi kandidaturën për titullin Profesor-Asistent, por Driton Vela me punimet e njëjta shkencore u zgjodh “Shkencëtar i vitit 2018”
Ministria e Shkencës Arsimit dhe Kulturës sot ka shpallur “Shkencëtarin e vitit 2018” dhe “Shkencëtarin më të ri të vitit 2018”. Çmimin e parë e ka fituar Dr. Driton Vela nga Departamenti i Fiziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Por ky departament vetëm pak muaj më parë ia refuzoi Velës kandidaturën për titullin Profesor-Asistent.
Çmimi për shkencëtarin e vitit ndahet për rezultate të veçanta në hulumtime e kërkime shkencore, si dhe për kontribut në zhvillimin e shkencës në Kosovë. Por punimet shkencore të Velës nuk ishin të mjaftueshme për Komisionin Vlerësues, shkruan Gazeta Shneta.
Vela pati akuzuar kryetaren e këtij komisioni, profesoreshën Hatixhe Latifi-Pupovci, për avancim të një kandidateje tjetër me vetëm një punim shkencor. “Padrejtësia është bërë nga Komisioni vlerësues me kryetare Hatixhe Latifi-Pupovci. Jo vetëm që nuk është bërë vlerësimi sipas kritereve të rregullores e cila kërkon që kandidati duhet të jetë autor i parë ose korrespodent i punimeve shkencore. Unë kam tetë punime, 6 prej tyre me imapkt faktor prej 1.9 deri 5.1 ndërsa kundërkandidatja ka vetëm një punim me impakt faktor 0.8”, pati deklaruar Vela.
Por Latifi-Pupovci ka thënë se numri i punimeve nuk është kriteri i vetëm por i tërë aktiviteti akademik. “Kandidatja Violeta Lokaj punon tash e 20 vite në Institutin e Fiziologjisë me Imunologji dhe magjistraturën dhe doktoratën e ka brenda fushëveprimit të këtij instituti”, ka deklaruar Latifi-Pupovci.
Ndërsa, çmimi “Shkencëtar i ri” iu nda Dr. Valdet Uka nga dega e Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. /Gazeta Shneta/