Rreth pesë vite pas fillimit të hetimeve “Medicus 2”, EULEX-i ka hequr dorë nga ndjekja penale kundër shtatë prej tetë të akuzuarve, transmeton Koda Ditore.
Në mesin e të dyshuarve, që tanimë nuk do të ndiqen më penalisht janë: ish-deputeti i PDK-së, Shaip Muja, ish-ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi dhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë, Nuhi Uka.
I vetmi i dyshuar, për të cilin po vazhdojnë hetimet, është mjeku turk, Kenan Demirkol. Mirëpo, mbrojtja e këtij të fundit, po konsideron se çfarëdo hetimi nga EULEX-i tanimë është i jashtëligjshëm, pasi ka kaluar afati ligjor prej 30 muajsh në shtator të vitit të kaluar. Ata nuk kanë kursyer së kritikuari misionin ndërkombëtar për joprofesionalizëm.
Më 12 nëntor të vitit 2013, Prokuroria Speciale kishte nxjerrur vendimin për fillimin e hetimeve kundër tetë të dyshuarve: Kenan Demirkol, Alush Gashi, Shaip Muja, Shkëlzen Sylaj, Nuhi Uka, Rinon Dervishi, Osman Mehmeti dhe Flamur Bogaj. / Gazeta Shneta