Situata epidemiologjike me ethet hemorragjike Krime Kongo në territorin e Komunës së Malishevës është nën kontroll, dhe, deri më tani, ende nuk është regjistruar ndonjë rast i prekur nga këto ethe.
Kjo gjë është deklaruar në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, nën drejtimin e nënkryetarit të Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.
“Drejtori komunal për shëndetësi dhe ai për mbrojtje dhe shpëtim, kanë deklaruar se pavarësisht rasteve të thumbimeve nga rriqrat, deri më tani, sikur edhe tri vitet e kaluara, nuk kemi raste të infektimit nga virusi i EHKK, ndërsa është duke vazhduar dezinsektimi i zonave që cilësohen endemike”, thuhet në një njoftim për media.
Sidoqoftë, rasti i parë në Kosovë i prekur nga ethet hemorrogjike Krime Kongo u paraqit javën e kaluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës./Gazeta Shneta/