Njëri nga kandidatët për drejtor të SHSKUK-së, Armend Jashari, i është bashkuar partisë së Fatmir Limajt në dhjetor të vitit të kaluar
Për pozitën e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, kanë hyrë në garë katër kandidatë. Tre prej tyre janë mjekë dhe i katërti është farmacist.
Ky i fundit është Armend Jashari, me profesion magjistër i farmacisë, ndërsa në politikë i angazhuar në partinë Nisma Socialdemokrate, shkruan Gazeta Shneta.
Jashari është njëri nga 16 intelektualët e prezantuar nga partia e Fatmir Limaj, si të aderuar në dhjetor të vitit të kaluar.
Përveç tij, në politikë është i përfshirë edhe kandidati tjetër, kirurgu torakal Fitim Selimi. Ai është anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që udhëheq me Qeverinë.
Selimi në një deklaratë për Gazeta Shneta gjatë ditës së djeshme ka thënë se partia e tij është në dijeni se ka konkurruar, por nuk mendon se do të ketë ndonjë ndikim.
Kandidatët tjerë janë Dr. Basri Sejdiu, i cili aktualisht është Ushtrues Detyre i drejtorit të SHSKUK-së, si dhe Dr. Fakir Spahiu, specialist i Mjekësisë Nukleare.
Konkursi për drejtor të SHSKUK-së vjen pas dorëheqjes së Dr. Curr Gjocaj në tetor të vitit të kaluar, pas skandalit ku vdiqën tre pacientë në rrethana të dyshimta në QKUK. /Gazeta Shneta/