Të dhënat e publikuara për mortalitetin në platformën “opendata.rks”, janë pronë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar. Kështu ka konfirmuar Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik
Në portalin shtetëror “opendata.rks-gov.net”, janë publikuar më shumë se 90 dokumente me të dhëna për shërbime të ndryshme të QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme. Në kuadër të këtyre dokumenteve janë publikuar edhe statistikat për mortalitetin në klinikat e QKUK-së.
Këto të dhëna janë nxjerr nga klinikat dhe gjenden edhe në Departamentin për Statistika të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Të njëjtat janë marr nga IKSHPK për publikim në platformën “opendata”, shkruan Gazeta Shneta.
Se këto të dhëna janë të QKUK-së e ka konfirmuar edhe vet Instituti në një përgjigje për Gazetën. “Të dhënat janë pronë e SHSKUK-së, dhe ju lutemi t’i drejtoheni atyre për çdo eventualitet që keni”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së.
Në anën tjetër nga SHSKUK kanë sugjeruar që t’i referohemi Raportit të Punës për vitin 2018 të publikuar në uebfaqen e këtij institucioni. Por në këtë raport nuk janë përfshirë statistikat për mortalitetin.
Gazeta Shneta para dy ditësh ka publikuar një raport të mortalitetit për klinikat e QKUK-së. Ky raport i cili gjendet në platformën “opendata” e vendos Klinikën e Kardiokirugjisë në pozitën e parë për nga numri i vdekjeve.
Sipas këtij raporti, në këtë klinikë janë kryer gjithsej 100 operacione gjatë vitit 2018 ku prej tyre kanë vdekur 28 pacientë. Mortaliteti spitalor në raport është shënuar me 166.7 promil, që në përqindje i bie 16.67.
Pas Kardiokirurgjisë vjen Klinika e Neurologjisë me 126.6 promil ose 12.66 për qind ndërsa e treta është Nefrologjia me 109.8 promil ose 10.98 për qind.
Ndërkaq sipas këtij raporti Klinika e Urologjisë, Kirurgjia e Fëmijëve, Kirurgjia Maksillofaciale, dhe Kirurgjia e Syve kanë pasur zero vdekje për vitin 2018. /Gazeta Shneta/