Burime të Gazetës kanë mësuar se në kurriz të fëmijëve të sëmurë me leukemi po bëhen dallavere me qindra mijëra euro. Në këto dallavere janë të përfshirë spitalet në Stamboll dhe ndërmjetësuesit në Kosovë
Dhjetëra fëmijë në Kosovë për çdo vit kërkojnë ndihmë për shërim nga sëmundja e leukemisë. Pacientët nën moshën 18-vjeçare, Ministria e Shëndetësisë e ka për detyrë me Udhëzimin Administrativ për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, që t’i financojë deri në 160 mijë euro brenda një viti.
Vitin e kaluar nga ky fond kanë përfituar 19 pacientë të sëmurë me sëmundje malinje. Zyrtarët e MSH-së kanë deklaruar se kostoja totale për këta pacientë ka qenë 1,741.374.00 euro, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga kjo ministri se në cilat spitale dërgohen këta pacientë dhe përgjigjja e tyre është se “Vendin e trajtimit e zgjedhin vet pacientët, e qe me së shumti shkojnë në Turqi dhe në vendet Evropiane”.
Në fakt shumica e fëmijëve të sëmurë nga leukemia janë trajtuar në spitalet turke. Gazeta ka mësuar nga burime se dërgimi i fëmijëve për shërim në Turqi është shndërruar në biznes. Sipas burimeve, dyshohet se spitalet turke po paguajnë dhjetëra mijëra euro ndërmjetësuesit nga Kosova për çdo pacient që ua dërgojnë për transplantimin e palcës kurrizore. Këto para iu paguhen ndërmjetësuesve pasi pacienti ta kryej pagesën me paratë që i përfiton nga MSH ose nga qytetarët.
Procedura e transplantimit të palcës kurrizore në spitalet e Turqisë shkon deri në 180 mijë euro. Kjo shumë parashë paguhet vetëm për procedurën e transplantit, ndërsa pacientët duhet ta sigurojnë palcën nga donatorët të cilët janë kryesisht familjarë.
Një procedurë e tillë sipas çmimores së shërbimeve në Qendrën Klinike Universitare në Munih kushton rreth 50 mijë euro ku përfshihet i gjithë trajtimi deri në shërimin e pacientit. Por pacientët kosovarë po referohen për në spitalet e Turqisë nëpërmjet një kompanie ndërmjetësuese (emër i njohur për redaksinë) në Prishtinë. Paratë e paguara për shërimin e pacientëve ndahen ndërmjet spitalit, ndërmjetësuesit dhe personave tjerë.
Gazeta është duke hulumtuar këto dyshime prej më shumë se 6 muaj. Shumë shpejt do të raportojmë për dëshminë e një familjari nga Kosova në lidhje me këto dallavere. /Gazeta Shneta/