Drejtori i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, nuk e ka përdorur fare veturën e tij zyrtare gjatë muajit nëntor, janar dhe mars, ndërsa prej se ka ardhur në këtë pozitë e ka vozitur atë shumë pak
Ndodh shpesh që zyrtarët e lartë por edhe të vegjlit t’i keqpërdorin veturat zyrtare jo vetëm gjatë orarit të punës, por edhe jashtë. Madje ka prej tyre që shkojnë edhe në pushime ose i shfrytëzojnë për të kryer punët e shtëpisë si blerja e turshive.
Ndryshe ka ndodhur me drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Dr. Basri Sejdiu. Bazuar në rregulloren për shfrytëzim të veturave zyrtare, ai ka në dispozicion një Volkswagen Touareg i cili ishte blerë në kohën kur drejtor ishte Njazi Gashi në vitin 2013. Gjatë këtij viti Gashi kishte shpenzuar 2,375 euro për shpenzime të naftës, shkruan Gazeta Shneta.
Sejdiu ka ardhur fillimisht si ushtrues detyre i drejtorit të SHSKUK-së në fund të tetorit të vitit të kaluar, pas dorëheqjes së Curr Gjocajt. Gazeta ka kërkuar qasje në shpenzimet e naftës në tre mujorin e fundit të vitit 2017 dhe në tre mujorin e parë të vitit 2018. Gjocaj kishte shpenzuar 135 litra naftë vetëm në muajin tetor.
Pas ardhjes si ushtrues detyre, Sejdiu duket se ka lënë pa punë shoferin e veturës zyrtare. Kjo për shkakun se ai është nga të rrallët zyrtarë që udhëtimin e tij ditore nga shtëpia në Mitrovicë, deri në QKUK në Prishtinë, e bënë me veturën e tij private.
Gjatë muajit nëntor shpenzimet naftës për veturën drejtorit ishin zero ndërsa në dhjetor vetëm 47 litra. Edhe në janar të këtij viti shpenzimet kanë rënë në zero, në shkurt rezulton se janë shpenzuar 94 litra, ndërsa në muajin mars sërish ishin zero shpenzime.
Në një deklaratë për Gazetën, Sejdiu ka thënë se ka vendosur vet që të udhëtoj me veturën e tij private, ndërsa veturën zyrtare ta përdorë vetëm për ndonjë takim zyrtar. “Unë e përdori veturën time për udhëtime ditor, meqë banoj në Mitrovicë dhe nuk kam dashur të shfrytëzoj veturën zyrtare”, ka deklaruar ai.
Kujtojmë se drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ka nën menaxhim disa institucione, klinikat e QKUK-së, Spitalet e Përgjithshme dhe Qendrat Profesionale të Shëndetit Mendor, Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë dhe Qendrën për Integrim dhe Rehabilitim të Sëmurëve Kronik Psikiatrik në Shtime. /Gazeta Shneta/