Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive Dr. Tefik Bekteshi, ka akuzuar kolegët e tij nga Kardiologjia se po kërkojnë të kryhen koronarografi pa nevojë, çka sipas tij po rrit numrin e pacientëve në listën e pritjes
Pas ngritjes së dyshimeve për rritjen e numrit të vdekjeve të pacientëve në Kardiologji Invazive nga kardiologu Dr. Gani Bajraktari, drejtori i Kardiokirurgjisë sërish ka dal me një njoftim ku i bëhet reklamë kësaj klinike me numrin e stentimeve dhe koronarografive, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas drejtorit Dr. Tefik Bekteshi, brenda 3 muajve të parë të vitit 2019 mjekët specialistë kanë vendosur 507 stenta tek pacientët, dyfish më shumë se në vitin 2018, i cili, për këtë periudhë kohore, arrinte në 285 sosh.
“Ka një progres të numrit të trajtimit të rasteve këta tre muaj. Besoj që me këtë trend do t’i tejkalojmë numrat e vitit të kaluar nga aspekti i diagnostikës, domethënë angiografisë koronare, por edhe nga aspekti i stentimeve në infarktin akut të miokardit, çka është edhe synim i këtij institucioni”, thotë Bekteshi.
Sipas raportit 3 mujor të punës për vitin 2019, në QKUK janë kryer edhe 719 koronarografi, derisa vitin e shkuar 543.
Bekteshi ka akuzuar kolegët e tij nga Kardiologjia se po kërkojnë pa nevojë koronarografi për pacientët, duke rritur kështu numrin e tyre në listën e pritjes.
“Megjithatë, ai u tërheq vërejtjen mjekëve, të cilët, sipas tij, shpeshherë kërkojnë koronarografi pa nevojë dhe kështu zgjasin pritjet për pacientët”, citohet të ketë thënë Bekteshi në komunikatën e SHSKUK-së.
Ai po shpreson që lista e pritjes të bie deri në 3 javë. “Pritet të biem në nivel të pritjes më së shumti 15 deri në 20 ditë, duke potencuar se rastet akute shkojnë përmes rrugës tjetër, shkojnë përmes shërbimit të njësisë koronare, përmes Klinikës së Kardiologjisë”, pohon Bekteshi. /Gazeta Shneta/