Dita Ndërkombëtare e Radiologjisë në QKUK i kushtohet imazherisë së zemrës

2018-11-08 në ora 10:53

Shoqata e Radiologëve të Kosovës sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Radiologjisë, e cila i është kushtuar imazherisë së zemrës. Prezantimet janë mbajtur në Telemjekësinë e Kosovës dhe kanë qenë të hapura edhe për qendra tjera nëpër spitale rajonale.

Në shënimin e kësaj dite kanë marr pjesë kardiokirurgë, kardiologë e radiologë si dhe specializantë. Dr. Gani Bajraktari, kardiolog, konsideron se është e paimagjinueshme se si kanë mundur me u trajtu sëmundjet e zemrës para se të zbulohej imazheria, fillet e së cilës janë jashtëzakonisht të reja.

“Stetoskopi është zbuluar para 200 vjetëve kur një mjek i ri francez, para tij vdiste një grua shtatzënë, dhe duke njohur ligjet e fizikës e improvizoi një gyp të drurit me një letër dhe e bëri një lloj stetoskopi ku e vërejti se të rrahurat e zemrës dëgjohen më mirë. Dhe sot është dita kur më 1895 Wilhelm Rontgen i zbuloi për herë të parë rrezet X. Çuditërisht ai e shfrytëzoi dorën e gruas së tij për të bërë imazhin e parë”, ka deklaruar kardiologu.

Bajraktari foli më tutje për zbulimin e pajisjeve tjera për imazherinë e zemrës për të cilat tha se janë shumë të vonshme. “Imazheria e zemrës gëzon rol jashtëzakonisht të madh në top-inovacionet e dekadave të fundit pasi ka treguar se me anë të saj janë shpëtuar miliona jetë të njerëzve”, ka deklaruar Bajraktari.

Kardiologu i QKUK-së tha se ekokardiografia është më e rëndësishmja në diagnostikimin e sëmundjeve. “Pas tragjedisë së Titanikut është shfaq nevoja për zbulimin e ultratingujve për të zbuluar mbetjet e anijes dhe më pastaj janë përdorur edhe në Luftën e Dytë Botërore. Ndërkaq më vonë është zbuluar edhe përdorimi i tyre në mjekësi. Viti 1953 njihet si viti i lindjes së ekokardiografisë nga Inge Edler dhe Hellmuth Hertz. Ky ishte një revolucion në kardiologji”, u shpreh Bajraktari. Ai përmendi disa patologji të zemrës për të cilat ekokardiografia është e pazëvendësueshme.

Kardiokirurgu Besnik Kojcici foli për diseksionet e aortës ku prezantoi edhe disa raste nga përvoja e tij me pacientë. Ai tha se për këtë patologji ndihmesa e radiologëve është e pazëvendësueshme.

“Epidemiologjia e diseksionit të aortës është se çdo vit paraqiten prej 3-8 raste në 100 mijë banorë. Vetëm 15-20 për qind e tyre diagnostikohen në fillim, 20-30 për qind vdesin pas simptomave të para, 20 për qind vdesin në spitale dhe kaq është edhe rrisku i kësaj patologjie, ndërsa 30-80 për qind vdesin brenda 48 orëve të para, kurse pas tri jave vetëm 10 për qind i mbijetojnë sëmundjes”, ka treguar Kojcici. Ai ka shtuar se kjo sëmundje është me rrezikshmëri shumë të lartë dhe sa më shumë që vonohet, sipas literaturës, 1-2 qind vdesin për çdo orë që kalon.

Ai ka theksuar se një nga faktorët më të rrezikshëm të kësaj sëmundje është hipërtensioni, ndërsa simptomat e para paraqiten me dhimbje të fortë në gjoks.

Tutje kanë prezantuar edhe Dr. Muharrem Sadiku, radiolog, me temën “Tomografia e Kompjuterizuar e Zemrës: Indikacionet, Aplikimi dhe Kufizimet”; Dr. Jeton Shatri, radiolog nga Departamenti i Diagnostikës Muskuloskeletale me temën “Imazheria e Zemrës Iskemike”; Dr. Ardian Biçaku, MD, PhD cand., radiolog, Departmenti I Diagnostikës së Gjirit – Klinika e Radiologjisë me temën “TK e zemrës te pacientët në Emergjencë” dhe Dr. Luljeta Abdullahu, MD, Specialiste e Mjekesise Nukleare me temën “Rëndësia e Scintigrafisë së Perfuzionit te Miokardit (SPM) në evaluimin e pacientëve pas PCI-së”. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *