Një tjetër rast dhune në një kopsht fëmijësh në Tiranë është evidentuar ditën e djeshme.
Bazuar në pamjet filmike u arrestua edukatorja 30-vjeçare me inicialet D.R. Por psikologia e kopshtit “4 Stinët”, Aurora Cici, shprehet se nuk bëhet fjalë për dhunë, por tërheqje vëmendjeje për disa fëmijë që bënin zhurmë.
“Rasti është i vërtetë. Është denoncuar. Pamjet janë marrë në Prokurori. Organet përkatëse do marrin çështjen nën kontroll. Nuk ka asgjë për t’u bërë e madhe e për t’u alarmuar. Fëmijët janë të qetë, janë nën kontroll.
Kanë ardhur të gjithë me dëshirë në kopsht. Madje edhe për personin në fjalë (edukatoren e arrestuar) vazhdojnë ta kujtojnë akoma, sepse nuk është një rast kaq i madh sa ç’po transmetohet.
Ka qenë një tërheqje vëmendjeje karshi 2-3 fëmijëve, të themi ‘pak problematikë’ të grupit, por jo se është ushtruar dhunë. Unë nuk jam përkrah dhunës, është gjëja më e gabuar.
Organet kompetente do merren me këtë çështje, i kanë marrë pamjet. Tani janë ata që do merren me këtë çështje. Unë nuk kam vënë re ndonjëherë shenja agresiviteti tek edukatorja në fjalë, e cila ka mbi 2 vjet që punon në këtë kopsht”, -u shpreh dje për mediat psikologia e kopshtit, Aurora Cici. /albeu.com/