Në mungesë të një spitali të veçantë për të burgosurit, ata ende trajtohen nëpër klinika të QKUK-së.
Ndonëse në klinikën psikiatrike janë dy dhoma të veçanta për raste nga burgjet, ato nuk funksionojnë për shkak mungesës së stafit mjekësor, raporton KTV.
Ekziston një Marrëveshje e Mirëkuptimit në mes të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar për mënyrën e trajtimit të të burgosurve në ShSKUK, përkatësisht në këto dhoma.
Por, sipas zëdhënësit të ShSKUK-së, Shpend Fazliu, ka thënë që shumë shpejt ky memorandum do të rishqyrtohet.
Pos në QKUK, dhoma të tilla për të burgosur ka edhe nëpër spitale të përgjithshme, mirëpo as ato nuk janë funksionale.
“Këto dhoma në këtë fazë nuk janë funksionale si pasojë e mungesës së stafit të QKUK-së, të cilët janë në proces të rekrutimit të tyre. Pacientët janë të shpërndarë nëpër klinika përkatëse”, ka thënë Milazim Gjocaj, drejtor i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve.
Gjocaj më tej shton se me ndërtimin e Klinikës së Re Emergjente, një hapësirë e caktuar do të jetë për të burgosur që do t’i mbulojë nevojat shëndetësore, diagnostikuese, intervenuese dhe rehabilituese, me çka do të lehtësojë menaxhimin e tyre.
Në periudhën janar qershor 2018, në kuadër të QKUK-së kanë qenë të hospitalizuar për nevoja të ndryshme 55 të burgosur, 23 konsultime specialistike dhe 48 ekzaminime të ndryshme.