Secili fëmijë e përjeton në mënyrë të veçantë daljen e dhëmbëve të parë.
Për disa, ky është një proces më i gjatë dhe më i dhëmbshëm, por tek disa të tjerë është një histori që zgjat vetëm një natë.
Siç e dimë, dalja e dhëmbëve zakonisht fillon rreth muajit të 7-të, mirëpo ka raste të veçanta kur foshnjës fillojnë t’i dalin edhe më herët, madje në muajin e 2-të ose 3-të.
Përsa i përket këtij procesi, foshnjet dinë të japin edhe sinjale, përmes vështirësive që përjetojnë.
Shenjat më të zakonshme të daljes së dhëmbëve janë:
– Skuqja e fytyrës dhe e mjekrës
Si pasojë e lagies së lëkurës nga jargët fëmija do të pësojë skuqje në fytyrë. Për të parandaluar këtë, fshijeni shpesh bebin që lëkura të mbetet e thatë dhe vendosni një peshqir ose napë në gjoks gjatë gjumit. Nëse në ndonjë vend shfaqet një tharje e lëkurës, e lyeni me krem.
– Pak kollë
Pështyma e tepërt shkakton kollë. Mos u shqetësoni nëse bebi nuk ka ndonjë shenjë tjetër ftohjeje apo alergjie. Bebi vazhdon të kollitet me qëllim edhe më vonë, sepse i duket si një lojë me zërin.
– Kafshimi
Bebi kafshon çdo gjë që i zë dora, që nga duart e tij, gjirin që e ushqen, gishtin e ndonjë të panjohuri, sepse kjo lehtëson dhimbjen dhe presionin që ushtron dhëmbi në mishrat e dhëmbëve.
– Dhimbja
Ka bebe që kanë mjaft dhimbje dhe të tjerë që nuk paraqesin asnjë lloj dhimbje.
– Irritimi
Dhimbja e vazhdueshme bën që bebi të ndryshojë dhe të irritohet, ashtu si një i sëmurë me dhimbje të vazhdueshme.
– Mospranimi i ushqimit
Bebi duket i uritur, por sa fillon të thithë dhimbja dhe sikleti shtohet, ai shkëputet nga gjiri apo shishja, të cilat i donte aq shumë më parë. Kjo gjë përsëritet gjithë kohën dhe bebi gjithë kohën do të ushqehet, por më pas nuk pranon, situatë e cila e streson jashtë mase.
– Jashtëqitja e ujshme
Daljet jashtë më të holla mund të shkaktohen nga sasia më e madhe e pështymës që prodhohet dhe gëlltitet. Por nëse bebi del hollë për më shumë se dy herë, duhet të konsultoheni me mjekun pediatër.
– Temperatura 37-38 gradë
Mjekët nuk e pranojnë, por shpesh dalja e dhëmbëve shoqërohet me teperaturë, si rezultat i përskuqjes në vendin e daljes të dhëmbit. Konsultohuni me pediatrin nëse temperatura vazhdon për më shumë se 3 ditë.
– Çrregullimet e gjumit
Shpesh nga dhimbja e dhëmbëve fëmijës i trazohet edhe gjumi.
– Fryrja e mishrave të dhëmbëve
Këshillohen kompresa të ftohta për të ulur sikletin që fëmija ndien.
– Tërheqin veshët ose fërkojnë mollëzat
Shpesh dhimbja e dhëmbëve shpërndahet në veshë dhe mollëza dhe bebi tërheq veshët ose fërkon mollëzat herë pas here.
– Duan të përtypen gjithë kohën
Për të pakësuar dhimbjen ata duan të ushtrojnë presion mbi mishrat e dhëmbëve. Për këtë mund të jepen banana të ngrira, akull i futur në një napë, lodra plastike etj. Edhe thjesht një fërkim i mishrave dhe me të ai lehtëson dhimbjen. Gjithashtu edhe një fetë molle e ftohtë e mbështjellë me një napë mund të ketë efekt qetësues, nëse e vëmë mbi zonën e acaruar për pak minuta.
– Duan të pijnë lëngje të ftohta.
– Duan të hanë gjëra të ftohta.
– Kur asgjë nuk e ul dhimbjen:
Mund të përdorni Paracetamol. Ai është medikamenti i vetëm që qetëson dhimbjet e daljes së dhëmbëve.
Për daljen e dhëmbëve të bebit është folur nëpër shekuj. Që në shekullin e 14-të, dijetari i madh Hipokrati shprehej: dalja e dhëmbëve tek fëmijët shoqërohet me temperaturë, kruarje të mishrave dhe diarre, sidomos kur del dhëmbi i syrit. Dhëmbët e foshnjërisë janë shumë të rëndësishëm për dhëmbët e përhershëm të fëmijës. Dhëmbi i parë i del bebit rreth muajve 5-7-të dhe e ndihmon atë të përtypë dhe të flasë. Dhëmbët e parë që dalin janë dy dhëmbët e mesit poshtë, pastaj ata të mesit lart, pastaj dhëmbët anash tyre, fillimisht poshtë dhe pastaj prapë lart. Zakonisht dalja e dhëmballëve çan një enë gjaku në mish, që i merakos prindërit për shkak të ngjyrës së saj të mavijosur në gojë. Me plasjen e dhëmbit mund të shkaktohet pak gjakrrjedhje në gojë, por kjo është krejt normale./pernenat.al/