Edhe pas tri orë diskutimesh në një takim të mbajtur ndërmjet Këshillit Grevist dhe deputetëve të Komisionit për Shëndetësi, nuk është arritur ujdia për ndërprerjen e grevës nga kirurgët
Deputetët e Komisionit për Shëndetësi të Kuvendit të Kosovës, Besa Baftiu, Haxhi Avdyli, Fatmire Mulhaxha-Kollqaku dhe Bekim Haxhiu, kanë diskutuar me kirurgët grevist për kërkesat e tyre si dhe për projektligjin e ri për pagat. Kirurgët kanë kërkuar nivelizimin e pagave të tyre me prokurorët çka në koeficient i bie ndërmjet 8-10. Kurse deptuetët kanë propozuar me amandament koeficientin 6, por në projektligj ka shkuar koeficienti 5 i miratuar nga Qeveria.
Deputeti Bekim Haxhiu iu bëri thirrje grevistëve që ta ndërpresin grevën, në mënyrë që Parlamenti ta ratifikoi ligjin me kuoten 5,5 ose 6. Haxhi Avdyli, me profesion neurokirurg, propozoi që të pranohet si fazë kalimtare edhe kjo dispozitë ligjore, “e ne si komision e deputetë ,bashkë me të gjithë akterët e sistemit shëndetësor, të inicojmë dhe ta hartojmë një ligj të ri për kategorizim të pagave, i veçantë për punëtorë shëndetësor ,ku në detaje do kategorizonte pagat e secilit punëtorë shëndetësor ,sipas përgaditjes profesionale, përgjegjësisë, dhe vollumit të punës”, shkruan informatori.
Kryetarja e komisionit Besa Baftiu i ftoi grevistët për një takim të ri në zyret e Kuvendit, që nesër për të vazhduar dialogun e gjetjes së një zgjidhje kalimtare të pranueshme .
Edhe përkundër diskutimeve të gjata, nuk u arrit ndonjë përafrim i qëndrimeve rreth kuotës së pagave për specialistët të propozuar nga Qeveria dhe kërkesës së vendosur të Kirurgëve për kuotizimin e pagave të tyre në nivel të qeveritarëve apo prokurorëve.
Si kërkesë eksplicite doli që më mirë të rrëzohet ky ligj , dhe të fillohet hartimi i një ligji të ri me kyqjen e të gjithë të prekurve nga ky ligj, duke krijuar një ligj që ulë dallimet e pagave mes profesioneve.