Në Kamenicë, ka ndodhur një lindje jo e zakonshme. Kjo pasi në kushte jo normale në tregun e qytetit, ka lindur Xhejlane Mehmeti, 28 vjeçare, e cila lindi një fëmijë që e ka emëruar Valon.
Gruaja që i përket komunitetit rom, nuk u ndihmua nga askush, derisa u gjend krejt e vetme në tërë procesin e vështirë të lindjes, duke improvizuar gjithçka aty për aty. Nga pamjet shihen ende njollat e gjakut në vendin ku është kryer lindja.
Derisa, dëshmitarët thonë se i dëgjuan britmat, por askush nuk e ndihmoi. Bashkëshorti i gruas, thotë se atë nuk ka qenë në shtëpi, derisa dhimbjet e lindjes e kanë zënë të papërgatitur gruan e tij.
“Gruaja ime lindi në pazar të dielën. Unë nuk kamë qenë në shtëpi. Isha në Bujanovc. Ajo në treg ka lindë sepse kishte shku në market me marrë diçka edhe aty e kanë kap dhimbjet”, rrëfen ai.
Gjendja e gruas dhe e fëmijës shihet të jetë e mirë, sipas mjekëve të cilët kanë kryer ekzaminimin e gruas dhe të foshnjës, është parë nga pediatri që foshnja ka infeksion, duke u transferuar kështu për në spitalin e Gjilanit.
“Ne dje ia kemi bërë një kontroll lehonës dhe është konstatuar se gjendja e saj shëndetësore është e mirë. Pacientja me foshnjën ka qenë sot këtu dhe pas kontrollit që ia ka bërë pediatri është konstatua se foshnja e ka një infeksion dhe është transferuar për në spitalin e Gjilanit. Për foshnjën pas lindjes siç duket ajo e ia ka bërë një lidhje të kërthizës së foshnjës”, thotë drejtori i kësaj qendre, Ylber Thaçi.
Ndërsa, hetime tashmë ka nisur policia e Kosovës si dhe Qendra për Punë Sociale në Kamenicë./Gazeta Express/