Dashuria nuk njeh kohë, por as barriera nga më të ndryshmet, gjë të cilën më së miri e vërteton çifti i verbër Kaniye (66) dhe Ibrahim Yenturk (72) të cilët janë duke i përjetuar çastet e lumtura të dashurisë së tyre e cila lindi në një azil pleqsh në Turqi.
Çifti u njoftua në vendin Çorlu të Tekirdagut, por meqë ata nuk mund të shihnin njëri-tjetrin, dashuria lindi përmes komunikimit.
Duke biseduar ata kuptuan gjithçka për njëri-tjetrin që i bëri ata shembull i një dashurie të sinqertë.
Këtë vit ata kremtojnë përvjetorin e shtatë të martesës, ndërsa “folenë e dashurisë” e formuan pikërisht në azilin për pleqtë.
Për Anadolu Agency (AA), çifti i verbër ka rrëfyer ditët e para të dashurisë së tyre e cila nuk njeh kufij.
Kaniye kishte humbur të pamurit që në fëmijëri.
Në vitin 2010 ajo vendoset në azilin për pleqtë, mirëpo ka qenë një fjali, një zë i cili që në ditën e parë ndikoi fuqishëm në lindjen e një dashurie të re, ishte përshëndetja “Mirë se erdhe zonja Kaniye”.
Ajo kishte pas vetes një martesë, e shkurorëzuar 38 vite më parë, megjithatë siç rrëfen për AA, pas shumë vitesh asaj i është dhënë mundësia që të përjetojë “pranverën e dytë”.
“Pasi njoftova Ibrahimin, kalonim çastet duke pirë çaj. I ofrova martesë dhe përgjigjja ishte pozitive”, tha Kaniye.
Ceremonia martesore ishte zhvilluar në azil ndërsa gruaja e lumtur rrëfen se martesa e tyre është goxha e lumtur e mbushur me dashuri dhe respekt.
“Martesa me Ibrahimin është shumë e bukur. Ka shtatë vjet që jemi bashkë. Akoma nuk jemi grindur, madje as që do të ketë grindje. Përse të vuajmë në këtë botë të bukur kur çdo ditë e kemi të bukur. Burri im zgjohet herët dhe përgatit çajin, pas çka më zgjon mua. Bëjmë faljen e sabahut pastaj hamë mëngjesin. Jemi shumë të lumtur”, tha Kaniye.
Ibrahimi nga ana e tij tregon se të pamurit e kishte humbur në një aksident.
Shtatë vite më parë ai u martua për herë të parë, pas çka thotë se kështu lindi për herë të dytë.
“Në vitin 1966 humba të pamurit. Që nga atëherë jetën e jetoja si një i vdekur, mirëpo 46 vite më pas njoftova Kaniyen dhe u rilinda”, shprehet 72-vjeçari.
Ibrahimi thotë se martesa i ka dhënë një kuptim jetës së tij e cila më parë ka qenë e mbushur me plotë vetmi.
“Me Kaniyen jeta ime filloi të marrë kuptim. Më parë nuk mundja të flej, por tani jam shumë i lumtur. E dua shumë”, përfundoi Ibrahimi.