Organet e njeriut jo rrallë mund të preken nga deformime qelizore, të cilat shpesh bëhen shkak për pasoja të rënda për jetën. Edhe kanceri i qafës së mitrës, është një deformin qelizor që mund të formohet në qafën e mitrës të çdo gruaje. Me kancer, kuptohet rritja në mënyrë jo normale dhe të pakontrolluar të qelizave.
Fatkeqësisht, kanceri i qafës së mitrës është një nga kanceret më të shpeshta tek gratë. Me rritjen e moshës, është konstatuar se rritet edhe rreziku për kancer të qafës së mitrës. Në Shqipëri, kanceri i qafës së mitrës është kanceri me raste më të shpeshta tek gratë mbas kancerit të gjirit. Në Shqipëri, rastet me kancer të qafës së mitrës kanë ardhur duke u shtuar, ndërsa vdekshmëria prej tij është dyfishuar.
Çfarë është PAP Testi?
Paptesti është një test i shpejtë, i thjeshtë dhe i padhimbshëm, që zgjat vetëm pak minuta, por që mund të shpëtojë jetën! Paptesti bëhet për të treguar nëse një femër ka apo jo kancer të qafës së mitrës. Nga momenti i shfaqjes së qelizave jo normale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen shumë vjet, rreth 10 deri në 20 vjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet që të gjitha femrat e moshave nga 20 (por edhe më parë nëse është filluar aktiviteti seksual) deri në 65 vjeç, sidomos ato me risk, duhet të kryejnë Paptestin rregullisht. Nëse një femër kontrollohet rregullisht, pra bën papteste të rregullta, mund ta kapë në kohë kancerin e qafës së mitrës. Në rastet kur kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është i lehtë për t’u trajtuar dhe kjo është e lidhur me mbijetesën dhe me një cilësi jete më të mirë.
Sa shpesh duhet bërë Pap-testi?
Rekomandimet për kryerjen e Pap-testit, janë specifike për klinika të ndryshme. Është e rëndësishme, që gjitha gratë të bëjnë Pap-testin sipas rekomandimeve të mjekut që i kanë besuar shëndetin riprodhues të tyre. Për femrat që kanë filluar aktivitetin seksual, apo kanë arritur moshën 18 vjeç, Pap-testi duhet të kryhet rregullisht.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet:
– Të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç, duhet të kryejnë Pap-testin.
– Femrat e moshave 21 deri në 49 vjeç, duhet të kryejnë Pap-testin çdo vit. Nëse 3 Pap-teste rrjesht dalin normal, atëherë vazhdohet kryerja e Pap-testeve çdo 3 vjet.
– Femrat e moshave 50 deri në 64 vjeç, duhet të kryejnë Pap-testin çdo 3 deri në 5 vjet.
– Në moshën 65 vjeç, nuk ka nevojë të vazhdohet me kryerjen e Pap-testit nëse ai është kryer rregullisht nga mosha 50 vjeç dhe ka dalë me rezultate normale.