Vaginiti (colpitis) paraqet inflamacion të vagjinës, kryesisht si pasojë e ndonjë infeksioni (pushtimi nga baktere ose myqe).
Mbrojtjen e vaginës nga infeksionet e bën aciditeti i saj (pH 4,5-5), duke iu falënderuar laktobacileve (ose bacileve të Doderleinit) të cilët e shndërrojnë glikogjenin në acid laktik. Rol të rëndësishëm në mbrojtjen e vaginës luajnë edhe hormonet femërore si estrogjeni dhe progesteroni, të cilat ndihmojnë në ndërtimin e epitelit vaginal deri në shtresat sipërfaqësore dhe të ndërmjetme në të cilat gjendet glikogjeni.
Vaginiti mund të jetë pasojë e infeksioneve (Vaginiti infektiv), irritimeve fizike dhe kimike (Vaginiti joinfektiv), si dhe nën ndikimin e hormoneve (Vaginiti atrofik).
Tri format më të shpeshta të infeksioneve vaginale janë: Vaginiti bakterial, kandidiaza dhe trihomoniaza. Vaginiti bakterial karakterizohet me paraqitjen e një lëngu homogjen të bardhë ose të gjelbër me erë të keqe, dhe me praninë e kruarjes.
Te kandidiaza vaginale simptoma kryesore është kruarja e mundimshme dhe e pakëndshme, e cila nganjëherë shtrihet edhe në pjesën e rektumit. Kruarja përcillet me eritemë dhe me paraqitjen e lëngut të bardhë, të dendur dhe pa erë, i cili është në sasi të vogël. Mund të paraqitet dhimbje, sidomos gjatë kontaktit seksual.
Te trihomoniaza, rreth 20-50% e të sëmurave nuk kanë fare simptoma dhe shenja të sëmundjes. Megjithatë te femrat te të cilat lajmërohen, shenjat mund të përfshijnë vaginën e skuqur dhe të ënjtur me luspim (dhëmbëzim) të epitelit, me lëng të dendur vaginal i cili mund të jetë i bardhë, i zbehtë, i verdhë ose i gjelbër. Mund të ketë disa gjakderdhje të vogla, sidomos pas kontaktit seksual, si edhe paraqitja e njollave te i ashtuquajturi “colpitis macularis”, i cili paraqitet te 2-5% e të sëmurëve.
Mjekimi i vaginitit bakterial bëhet me anë të antibiotikëve oral dhe me anë të aplikimit të kremrave të ndryshëm, gelëve dhe vaginaletave, varësisht nga rekomandimi i gjinekologut. Kandidiaza vaginale mjekohet ngjashëm por me preparate antimikotike.
Ndërsa për dallim nga infeksionet bakteriale dhe mikotike, në rastet me trihomoniazë duhet të mjekohen të dy partnerët me marrjen e antibiotikëve oralë dhe aplikimin lokal të vaginaletave.