Depresioni Postpartum ( pra depresioni pas lindjes) nuk është një dukuri e rrallë. Të gjitha gratë pas lindjes priren të jenë më emocionale por ka një dallim midis humorit normal postpartum dhe atij në depresion. Sipas të dhënave nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), një në nëntë gra ndikohen nga depresioni postpartum.
Gratë që preken nga kjo gjendje mund të përjetojnë trishtim të madh, ndjenja të mungesës së shpresës, pavlefshmërisë dhe vetëbesim të ulët. Një grua me depresion postpartum mund të qajë shumë, të humbasë oreksin dhe aftësinë e saj për t’u përqendruar. Ajo mund të përjetojë mendime të frikshme, të padëshiruara dhe ka gjasa të ketë vështirësi në gjumë. Shumica nuk duan të dalin nga shtëpia, madje as të takojnë miqtë e tyre më të ngushtë.
Shpesh gratë e prekura nga kjo gjendje, nuk kënaqen kollaj dhe duket se asgjë nuk i bën më të lumtura. Koha është gjithashtu një faktor. Ka gra tek të cilat këto simptoma nuk zgjasin më shumë se dy javë.
Ka të tjera tek të cilat mund të zgjasin më shumë. Simptomat e depresionit mund të fillojnë gjatë periudhës së shtatzanisë por përgjithësisht në pjesën më të madhe fillojnë pasi ajo ka mbaruar.
Çfarë këshillojnë mjekët?
Në të tilla raste, kur jeni duke përjetuar këtë gjendje është mirë që të konsultoheni me mjekun tuaj dhe sigurisht të ndani shqetësimin me partnerin. Nëse keni një mikeshë që vuan nga kjo gjendje, duhet ta këshilloni atë përballë dhe jo nëpërmjet telefonit, E-mailit apo Whatssappit. Shumica kërkon të dijë se ka një vend ku mund të mbështetet.
Mos kini kompleks ta pranoni! Duke e ndarë problemin tuaj me të tjerët do ta keni më të lehtë ta kaloni këtë periudhë jo fort të dashur nga gratë pas lindjes./Shije.al