Çdo ndryshim i skemës normale të menstruacioneve te një femër quhet çrregullim menstrual. Organet reproduktive- mitra (uterusi) është organ në formë dardhe e vendosur në mes të fshikëzës urinare dhe zorrës së trashë.
Përbëhet nga dy pjesë – trupit dhe qafës. Nga të dy anët e mitrës gjenden vezoret dhe vezëpërçuesit (tubat e Fallopit). Vezoret janë organe në të cilat prodhohen vezët, me nga 200 mijë deri 400 mijë folikule.
Shtresa apo muri i brendshëm i mitrës quhet endometrium, shtresat e të cilit nëse femra nuk është shtatzënë, shkoqiten dhe dalin si një pjesë e gjakut menstrual së bashku me gjakun dhe sekrecionin e mitrës.
Menstruacioni i parë (menarha) zakonisht paraqitet në moshën prej 12 deri 13 vjet. Hulumtimet më të reja, megjithatë, tregojnë se, sot, femrat më herët hyjnë në pubertet. Pesha e madhe është faktor i rrezikut për shfaqjen e pubertetit të hershëm. Gjatë vitit të parë deri në dy vite mundet që kohëzgjatja e ciklit menstrual të jetë e ndryshueshme dhe jo e rregullt. Pas kësaj kohe, cikli fillon të stabilizohet dhe të zgjasë rreth 28 ditë.
Megjithatë, cikli normal mund të zgjas edhe 20 deri 40 ditë. Mosha është faktor i rëndësishëm për ndryshimet e ciklit. Përafërsisht cikli zgjat 33 ditë tek fermat më të reja se 21 vjet dhe, 26 ditë tek 40-vjeçaret. Cikli zgjatet në moshën 46 vjeçare dhe arrin përafërsisht 31 ditë në moshën 49-vjeçare. Femrat që konsumojnë alkool rregullisht i kanë ciklet më të shkurta, ndërsa femrat me peshë më të vogël si dhe ato që merren me sport, më të gjata.
Kohëzgjatja e gjakderdhjes te femrat e moshës së re, përafërsisht zgjatë 6-7 ditë. Pas moshës 21 vjeçare, gjakderdhja zgjatë 5-6 ditë deri në menopauzë. Megjithatë, vlen të përmendet se rreth 5% e femrave të shëndosha kanë gjakderdhje më të shkurtër se 4 ditë, dhe 5% më gjatë se 8 ditë. Femrat me peshë më të vogël sidomos ato që konsumojnë duhanin gjakderdhin më shumë, ndërsa ato që merren me sport, më pak.
Femrat që përdorin spiralen (mjet kontraceptiv) zakonisht kanë gjakderdhje më të gjatë. Menstruacionet, natyrisht, ndërpriten gjatë kohës së shtatzënisë. Disa femra vazhdojnë të kenë gjakderdhje jo të rregullta gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Gjakderdhjet e tilla mund të jenë kërcënim i dështimit (abortit), prandaj duhet patjetër t’i drejtohen mjekut. Gjatë kohës së gjidhënies femra rrallë mund të ketë ovulim 8 javë pas lindjes.
Cilët janë shkaktarët e menstruacioneve të çrregullta
Shkaktarët e amenorresë (mungesa e menstruacioneve). Te adoleshentet nevojitet një kohë që ovulacioni të stabilizohet, e ndonjëherë gjakderdhjet edhe ndalen për disa muaj. Çdo herë që menstruacionet mungojnë, duhet vërtetuar nëse bëhet fjalë për shtatzëni apo jo, edhe pse secila situatë me stres, madje edhe brenga për shtatzëni, mund të ndikoj në mungesën e gjakderdhjes.
Ushtrimet trupore
Besohet se ushtrimet trupore të tepërta (vrapimi për 20 orë gjatë javës disa muaj) ndikon në zvogëlimin e hormoneve seksuale dhe si pasojë vihet re çrregullimi i menstruacioneve. Po ashtu, pesha e madhe trupore ndërlidhet me këto çrregullime, pasi dihet se një sasi e estrogjenit prodhohet edhe në indin dhjamor dhe kjo mund të ndikojë në ciklin menstrual.
Sindroma i vezoreve policistike
Kjo sindromë paraqitet te 6% e femrave dhe është rezultat i asaj që vezoret formojnë sasi të mëdha të androgjenëve (hormoneve mashkullore) sidomos testosteronit. Formimi i rritur i androgjenëve sjellë deri te koncentrimi i lartë i HL (hormonit luteinizues) dhe koncentrim të zvogëluar HFS (hormonit folikulostimulues), prandaj folikulet nuk mund të prodhojnë vezë të pjekur. Kur folikulet nuk mund të prodhojnë veze, ato fryhen me lëng dhe shndërrohen në ciste.
Koncentrimi i rritur i prolaktinës
Hormonin prolaktin e prodhon hipofiza e cila stimulon prodhimin e qumështit të nënës. Koncentrimet e larta të prolaktinës te femrat që nuk janë shtatzëne mund të inhibojë ovulimin dhe në këtë mënyrë të shkaktojë amenorrenë. Disa barëra, duke përfshirë edhe mjetet orale kontraceptive (tabletat) dhe disa antipsikotik, mund ta risin koncentrimin e prolaktinës.
Shkaktarët tjerë
Terapia e karcinomës mund t’i shkatërrojë folikulet dhe çrregullon funksionin e vezoreve. Sindromi Turner është çrregullim i rrallë gjenetik, te i cili mungon kromozomi x, prandaj nuk zhvillohen vezoret funksionale. Problemet me gjëndrën tiroide, qoftë si pasojë e prodhimit të rritur (hipertiroidizmi) apo të zvogëluar (hipotiroidizmi) mund ta ndërpresin ciklin. Sinroma Cushing (çrregullim i gjëndrës mbiveshkore), po ashtu mund të shkaktojë amenorrenë.
Shërimi i çrregullimeve
Rregullat e përgjithshme të ushqimit të shëndosh vlejnë për të gjithë, duke përfshirë frutat dhe perimet e freskëta, si dhe duke i ikur ushqimit jo të shëndosh. Disa ndryshime në ushqim, 14 ditë para gjakderdhjes mund t’ju ndihmojnë femrave me probleme të dhimbjeve menstruale. Te disa femra ndihmon evitimi i mishit të kuq dhe prodhimeve qumështore, kafeinës dhe alkoolit. Disa studime vërtetojnë se marrja e vitaminës B1 (tiaminës) ndikon në zvogëlimin e dhimbjeve menstruale.
Aktiviteti fizik
Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit. Preferohet që aktiviteti fizik të mos jetë shumë energjik.
Preparatet bimore
Preparatet me bazë bimore dhe çajet e ndryshme janë treguar efikas në zbutjen, madje edhe zhdukjen e simptomave të ndryshme gjatë ciklit menstrual. Çaji i kamomilit, majdanozit, mentës, janë treguar shumë efikas për këto probleme.
Analgjetikët e zakonshëm
Josteroidet antiinflamator (NSAID). Josteroidet antiinflamator (NSAID) bllokojnë prostaglandinet (substancat qe rrisin kontraksionet e mitrës). Posaçërisht janë efikas në zvogëlimin e gjakderdhjeve të mëdha dhe ngërçeve. Acidi acetilsalicinik është preparat antiinflamator që përdoret më së shpeshti, por janë edhe disa të tjerë, si (diklofeni, ketoprofeni, ibuprofeni) që jepen me ose pa recetë. Paracetamoli zvogëlon nivelin e gonadotropinës dhe i estradiolit (lloj i estrogjenit) me çka mund të ndikohet në çrregullime menstruale.
Terapia hormonale
Në terapinë e çrregullimeve menstruale përdoret edhe terapia hormonale (mjetet kontraceptive orale, progesteroni etj. Po në këtë terapi përfshihet edhe përdormi i produkteve bimore, që luajnë një rol të rëndësishëm në balancimin hormonal.