Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona në Spitalin “Bahceci” në Prishtinë, nën dyshimin për veprat penale transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore’ dhe ’bashkëkryerje, shkruan Gazeta Shneta.
“Bazuar në informatat dhe hetimet e realizuara nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) me datën 16.05.2019 është realizuar një operacion policor, që ka rezultuar me kontrollimin e një klinike private në rajonin e Prishtinës dhe me arrestimin e katër (4) personave të dyshuar për kryerje të veprave penale: ‘transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore’, ‘bashkëkryerja’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka njoftuar se operacioni është realizuar me inspektorët shëndetësorë nga Ministria e Shëndetësisë dhe pas këtyre veprimeve hetimore janë arrestuar të dyshuarit, prej tyre dy meshkuj dhe dy femra.
“Gjatë këtij operacioni policor si prova materiale nga inspektorati shëndetësor janë sekuestruar: kopje të dosjeve mjekësore, libra-fletore me shënime dhe dokumente tjera të ndryshme. Tre (3) të dyshuarve me urdhër të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Policia e Kosovës ka bastisur edhe një klinike tjetër private para disa ditësh ku u arrestuan poashtu katër persona. /Gazeta Shneta/